fbpx

“Kaos” në Twitter, llogari të rreme maskohen si zyrtare, miliona humbje për kompaninë

HomeLajmeBota

“Kaos” në Twitter, llogari të rreme maskohen si zyrtare, miliona humbje për kompaninë

Një stuhi e vërtetë ka përfshirë rrjetin social Twitter duke lënë pas kaos dhe konfuzion. Llogari të rreme “të verifikuara” në emra politikanësh, njerëzish të famshëm, organizatash dhe biznesesh të mëdha nisën të shfaqen në platformë të enjten.

Twitter pezulloi shumë prej tyre, por përpjekjet me ndryshim të shpejtë të kompanisë për të adresuar këtë çështje shtuan konfuzionin. Ekspertët kishin paralajmëruar më parë se shërbimi i ri i abonimit në Twitter i shpallur nga shefi i ri Elon Musk, i cili u lejon përdoruesve të paguajnë 7,99 dollarë në muaj për një verifikim me shenjën blu, do të shfrytëzohej menjëherë nga njerëz të këqij dhe mashtrues dhe do të shkatërronte besimin në platformë.

Llogari të rreme të individëve të profilit të lartë si udhëheqësi i kompanisë META, Mark Zuckerberg, presidenti aktual amerikan, Joe Biden, dhe ish krerët e Shtëpisë së Bardhë si Donald Trump dhe George Bush, janë fshirë.

Duke e pasur të pamundur që të ndërhyjë në të gjitha rastet e mashtrimit, Twitter vendosi të pezullojë plotësisht programin e verifikimit me pagesë. Por dëmi tashmë është bërë dhe flitet për miliona dollarë.

Ndër rastet më të bujshme përmendet ai i një llogarie false të një kandidati republikan për guvernator i Arizonës që njoftoi se pranon humbjen përballë kandidates demokrate, pavarësisht se votat po numëroheshin ende. Gjithashtu dhe rasti i kompanisë farmaceutike amerikane, Eli Lilly, me një llogari false, por të verifikuar si të vërtetë, që njoftoi se insulina do të jetë falas. Çështja është sqaruar, por firma e njohur pësoi miliona dollarë humbje në bursa nga kjo shaka pa kripë.