fbpx

Kallëzimi Penal i SBASHK-ut ndaj Muratit: Kush cenon grevën mund të dënohet deri në dy vite burgim

HomeLajmeKosovë

Kallëzimi Penal i SBASHK-ut ndaj Muratit: Kush cenon grevën mund të dënohet deri në dy vite burgim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në Kallëzimin penal të deponuar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë pretendon se Ministri i Financave, Hekuran Murati ka shkelur Ligjin për greva përkatësisht nenin 1 dhe nenin 11, ku definohet “Qëllimi i Ligjit për grevën” dhe “E drejta për grevë” kur ka paralajmëruar ndaljen e pagave për grevistët.

Ministri i Financave Hekuran Murati, të mërkurën, ka thënë se do t’iu bëhet një ndalës në pagë për secilin grevistë pasi, sipas tij, kështu parashihet me ligj.

Këtë deklarim SBASHK-ut e ka cilësuar si kërcënuese dhe pengim të grevës së shpallur nga BSPK-ja.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar Kallëzimin penal brenda burimeve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë e ku SBASHK-u ka cituar pikën 1 të Nenit 221 të Kodit Penal, ku përkufizohet “Cenimi i të drejtës për grevë” e ku punëdhënësi mund të dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet nëse parandalon ose pengon punëtorin për të ushtruar të drejtën e grevës së ligjshme.

Sipas SBASHK-ut, rregullativa ligjore lejon pjesëmarrjen në grevë nëse parashihet me ligj, me kontratë kolektive dhe me statutin e sindikatës derisa i punësuari nuk mund të jetë i diskriminuar për shkak të organizimit dhe pjesëmarrjes në grevë.

SBASHK-u ka cituar pikën 1 të Nenit 13, të Ligjit për greva, ku ndaj grevistëve nuk mund të merren masa disiplinore dhe as materiale dhe as nuk mund t’i ndërpritet marrëdhënia e punës.

Betimi për Drejtësi” ka raportuar se Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka ngritur kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, për cenim të të drejtës në grevë.

“Ne nuk do të ndalemi. Do t’i drejtohemi instancave më të larta për të kërkuar të drejtat tona. SBASHK-u e ka përgatit dhe e ka dërguar në Prokurori kallëzimin penal ndaj Hekuran Muratit. Buxheti i Kosovës është edhe me djersën tonë. Ne nuk po i kërkojmë Muratit që pagën e vet t’ia japë mësimdhënësve, por buxhetin e popullit ndaja njerëzve që u shërbejnë popullit”, ka thënë Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka shpallur grevë të përgjithshme për gjithë sektorin publik me arsyetimin se Qeveria nuk i ka marrë për bazë kërkesat e punëtorëve. Kanë kërkuar 100 euro për secilin punëtor derisa të miratohet Ligji për pagat. Në anën tjetër, Qeveria ka bërë thirrje të ndalen grevat dhe kanë thënë se kërkesat e sindikatave janë akomoduar në Ligjin për pagat, i cili ka dalë në konsultim të brendshëm.

x