fbpx

Izraeli i dha Ukrainës informata sekrete se si t’i rrëzojnë dronët e prodhuar nga Irani?

HomeLajmeBota

Izraeli i dha Ukrainës informata sekrete se si t’i rrëzojnë dronët e prodhuar nga Irani?

Ukraina ka rrëzuar dronët iranianë me të cilët është furnizua Rusia – dhe këtë po e bën me ndihmën e inteligjencës izraelite, sipas një raporti në New York Times.

Megjithatë, siç shkruan Sky News, përcjell Telegrafi, mediumi amerikan nuk specifikoi se çfarë informacioni iu ofrua autoriteteve ukrainase.

Pas një sulmi me dron në Kiev, ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba thuhet se i bëri thirrje Izraelit për armë të mbrojtjes ajrore.

Megjithëse ministri i mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz refuzoi të ofrojë armë – kryesisht për shkak se Izraeli varet nga bashkëpunimi rus për forcat e tij ajrore për të kryer “bastisje” në Siri – ai tha se do të siguronte sisteme paralajmërimi të hershëm.

Ndërkohë inteligjenca britanike sugjeron se Rusia po përdor ende dronët iranianë në të gjithë territorin e Ukrainës.

Rusia ka të ngjarë të përdorë UAV-të iraniane Shahed-136 për të depërtuar në mbrojtjen ajrore ukrainase dhe si një zëvendësim për raketat e saj precize me rreze të gjatë veprimi, tha Ministria Britanike e Mbrojtjes.

Ajo shtoi se përpjekjet e Ukrainës për të “kontrolluar” dronët kanë qenë të suksesshme.

Rusia dyshohet se është kthyer në përdorimin e dronëve iranianë “kamikaze” – të quajtur kështu sepse bien dhe shpërthejnë në objektiva – pasi asaj kanë filluar t’i mbarojnë armët e saj precize me rreze të gjatë veprimi.

Javën e kaluar, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania i bënë thirrje Kombeve të Bashkuara të hetojnë akuzat që Rusia po përdorte dronët e prodhuar nga Irani në Ukrainë.

Por Irani ka mohuar fuqishëm se i ka shitur armë të tilla Moskës.