Italia kufizon përdorimin e ujit për shkak të thatësirës, as veturat s’lejohen t’i lajnë

HomeLajmeBota

Italia kufizon përdorimin e ujit për shkak të thatësirës, as veturat s’lejohen t’i lajnë

Qytetet italiane të Veronës dhe Pizës kanë kufizuar përdorimin e ujit. Vendi po përballet me thatësirën më të keqe në dekada.

Në qytetin verior italian të Veronës, uji i rubinetit mund të përdoret vetëm për “qëllime shtëpiake, pastrim personal dhe higjienë”, njoftuan autoritetet lokale.

Nga ora 06:00 deri në 21:00, qytetarët e kanë të ndaluar të ujitin kopshtin, fushat sportive, të lajnë makinat apo të mbushin pishinat.

Jashtë këtyre orareve, njerëzve u kërkohet të përmbahen vullnetarisht nga përdorimi i ujit të rubinetit për këto qëllime. Masat janë në fuqi deri më 31 gusht.

Ata që nuk i respektojnë rregullat do të gjobiten deri në 500 euro.

Në Piza ka rregulla të ngjashme që do të hyjnë në fuqi më 11 korrik, duke kufizuar përdorimin e ujit të pijshëm për aktivitetet shtëpiake.

Italia prej disa kohësh po përjeton temperatura të larta gjatë verës me shumë pak reshje. Lumi Po – më i gjati në vend – është tharë në disa vende dhe po regjistron nivelet e tij më të ulëta në më shumë se 70 vjet.

Në Milano janë mbyllur shatërvanët e mëdhenj.

Disa rajone i kanë bërë thirrje Romës të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për të mundësuar ndihmë të mëtejshme financiare dhe masa të mbrojtjes civile.

COMMENTS

x