fbpx

Ish-ambasadori i SHBA-ve në Serbi me porosi të qartë: “Zgjidhja e vetme është njohja e Kosovës nga Serbia”

HomeLajmeKosovë

Ish-ambasadori i SHBA-ve në Serbi me porosi të qartë: “Zgjidhja e vetme është njohja e Kosovës nga Serbia”

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, William Montgomery, ka deklaruar se e vetja rrugë për t’i zgjidhur përfundimisht çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, është njohja e Kosovës nga Serbia.

“Asnjë nga vendet kryesore, duke përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, nuk duan si zgjidhje përfundimtare asgjë tjetër përveç se Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës brenda kufijve të saj aktual”, tha ai për mediumin serb Tanjug.

Ai potencoi se në këtë rrugë, Serbia është e vetme kurse dallimet midis vendeve perëndimore për zgjidhjen finale, kanë të bëjnë vetëm me atë se si do të arrihet.

“Me sa di unë, asnjë qeveri perëndimore nuk po mendon për hapa që do t’i jepnin Serbisë hapësirë”, vuri në pah ai.

Duke komentuar sitauatën e krijuar rreth çështjes së targave, diplomati amerikan nënvizoi se komuniteti ndërkomëtar është i përkushtuar në zgjidhje paqësore, prandaj edhe i kërkuan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, shtyre të vendimit.

“Askush nuk e dëshiron dhunën dhe për rrjedhojë disa e argumentojnë në atë mënyrë që ta inkurajojnë Kurtin që t’i japë Serbisë më shumë kohë për çështjen e targave ose të tregojë më shumë fleksibilitet në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit”.

Ndërkaq, Montgomery duke iu referuar idesë së shkëmbimit të territoreve kujtoi se ishte një moment para disa vitesh kur ish-presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, po mendonin për një marrëveshje që sipas tij, do të sillte vuajtje, por do të ishte e realizueshme.

“Angela Merkel vuri veton ndaj kësaj zgjidhjeje të mundshme. Dhe në fakt, Thaçi do të përballej me vështirësi ekstreme nga partitë politike të Kosovës për ta përmbyllur këtë marrëveshje, aq më tepër që qasja e Kurtit inkurajohet fuqishëm nga grupet e politikës së jashtme në shumë vende perëndimore, përfshirë edhe SHBA-në”, përfundoi ai.

Ndryshe, të hënën e 22 nëntorit, Kurti ka njoftuar përmes llogarisë në Twitter se ka pranuar kërkesën e SHBA-ve për të shtyrë vendimin për targat.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Kreu i ekzekutivit, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.

“Jam i lumtur të punoj me SHBA-të dhe BE-në në gjetjen e një zgjidhje gjatë këtyre dy ditëve”.

Kurse ambasadori në deklarimin në njoftimin e tij shkroi se “SHBA-të janë të shqetësuara që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk mundën që të arrijnë marrëveshje sot për krizën aktuale në Kosovë”.

“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë që t’i mundësojnë BE-së dhe SHBA-ve gjetjen e një zgjidhje”, thuhet në deklaratën e Hovenier.

Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.

Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.

Siç u kuptua më vonë, Bashkimi Evropian ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.

Vuçiç është pajtuar me propozimin.

Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.

Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.