fbpx
HomeTech

Interpol paralajmron shtim të numrit të krimeve kibernetike gjatë dhe pas pandemisë

Organizata ndërkombëtare policore Interpol, ka paralajmëruar rritje alarmante të krimeve kibernetike në kohë të pandemisë, kur kriminelët duket se e kanë shfrytëzuar kohën kur shumë njerëz po punojnë nga shtëpia për të vënë në shënjestër institucione dhe biznese të rëndësishme.

Sipas një vlerësimi të kësaj organizate me seli në Francë, është vërejtur një ndërrim i ndjeshëm i shenjestrave të kriminelëve nga individët dhe bizneset e vogla te korporatat e mëdha, qeveritë dhe infrastruktura kritike, shkruan “The Guardian”.

“Kriminelët kibernetikë janë duke i zhvilluar dhe forcuar sulmet e tyre në një ritëm alarmant, janë duke shfrytëzuar frikën dhe paqartësinë e shkaktuar nga gjendja e paqëndrueshme sociale dhe ekonomike e krijuar nga Covid-19”, tha sekretari i përgjithshëm i Interpolit, gjermani Juergen Stock.

“Rritja e varësisë ndaj internetit për njerëzit përreth botës gjithashtu është duke krijuar mundësi të reja (për kriminelët), pasi shumë biznese dhe individë nuk po sigurohen se e kanë të përditësuar mbrojtjen kibernetike”, shtoi ai.

Gjatë kohës së pandemisë, Britania e Madhe e ka akuzuar Rusinë se po përpiqet që përmes sulmeve kibernetike t’ia vjedhë të dhënat shkencore në lidhje me zbulimin e vaksinës së koronavirusit. Moska e ka mohuar këtë akuzë.

COMMENTS

x