Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar katër zyrtarët policorë që dyshohet se janë përfshirë në plagosjen e një serbi në veri të Kosovës të hënën.
Njëri nga zyrtarët policor dyshohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”, ndërsa të katër po ashtu dyshohen se kanë kryer veprën penale “moslajmërim i veprës penale”.
“Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore në koordinim me prokurorinë hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot në orët e mbrëmjes katër zyrtarë policorë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “mos lajmërim i veprës penale” dhe njëri nga ta është i dyshuar për veprën penale “vrasje – në tentativë” (lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës)”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit.
Me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Hetuesit e IPK-së janë duke ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit. Veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet nga Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka thënë se sipas hetimeve të para, pas sinjalit të zyrtarit policor për ndalim, vozitësi nuk është ndalur por ka vazhduar në drejtim të Zveçanit.
Pas kësaj, sipas tij, një zyrtar policor ka shtënë me armë në drejtim të veturës ku si pasojë, ka mbetur i plagosur qytetari M.J./Telegrafi/