Molliqaj: Jo vetëm në SHIK, në vitin 2000 Konjufca ka qenë edhe në PDK

Për Dardan Molliqajn e PSD-së, dëshmia më e mirë që Glauk Konjufca ka qenë në SHIK, ka qenë biseda e tij e mbrëmshme në “Interaktiv” të KTV-së.

Po në këtë emision, sonte, një natë pas Konjufcës, Molliqaj ka thënë se

“ata që kanë pasur rastin ta ndjekin bisedën me Konjufcën, e kanë kuptuar të vërtetën”.

“Prej elozheve që i bëri SHIK-ut dhe njerëzve që kanë punuar aty, vetëm sa nuk e tha që: po, unë kam qenë njëri prej atyre që kam shërbyer aty”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se në këtë debat, dy gjëra duhet pasur parasysh.

“E para, dokumentet se kush ka punuar aty i ka vetëm SHIK-u, dhe asnjë dokument për asnjë zyrtar të SHIK-ut nuk ka dal në publik deri më tani. Për ta nxjerrë një të tillë duhet vetëm përmes Kadri Veselit”, ka thënë Molliqaj, që sipas tij, “Konjufca po përgjigjet si shefi i tij i dikurshëm, Kadri Veseli, që për gjithçka që flisnim thoshte shkoni në gjykatë”.

“Jo të gjitha faktet janë materiale”, ka thënë Konjufca.

“E dyta, që ka bërë gabim Konjufca, është që nuk e ka pranuar që ka qenë në SHIK. Para një viti është folur se ai ka qenë në AAK, dhe nuk e ka pranuar, deri mbrëmë këtu te ju. Nuk e pranon se në vitin 2000 ka pasur takim me një grup të rinjsh është takuar me Thaçin për t’u bërë pjesë e Forumit Rinor”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se janë dhjetëra deputetë, gazetarë, e politikanë të tjerë të cilëve Glauk Konjufca vetë ua ka pranuar në periudha të ndryshme që ka qenë në SHIK.

“Mua personalisht, më ka thënë ose kah fundi i shkurtit ose fillimi i marsit të 2018-ës, dhe unë nuk e kam pasur problem. Problemi që e kam është pse ai nuk është gati për të ballafaquar me të vërtetën dhe me të kaluarën e tij”, ka thënë Molliqaj.

Loading...