Propaganda e Vucic përmes mediave të Beogradit: Marrëveshje ose luftë me Kosovën

Që Shtetet e Bashkuara e kanë marrë seriozisht realizimin e qëllimit të tyre për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi brenda vitit, kjo nuk ka dyshim.

Letrat personale të Trump për Thaçin e Vuçiçin, telefonatat me Xhon Bolton, takimet e Mogerinit me krerët e Kosovës dhe pritja e presidentit serb nga Merkeli në Berlin, janë të dhëna që flasin për një garë të ethshme me kohën: faktori ndërkombëtar kërkon një pakt final Prishtinë-Beograd.

Palët ndahen nëse ky pakt duhet apo jo të përfshirë shkëmbim territori: Gjermania është kundër, ndërsa ofiqarët e Brukselit dhe mbi të gjitha, SHBA janë fleksibël ndaj idesë.

Palët janë dakord vetëm në një pikë, që një marrëveshje do ishte e dobishme për të gjithë dhe sidomos, për shqiptarët e serbët, shkruan Periskopi.

Në kuadër të kësaj ideje ka rritje të presionit politiko-mediatik për ta përshpejtuar këtë.
Shkëmbimi i territorit, një ide tabu deri pak kohë më parë, po flitet lirisht në Tiranë, Prishtinë e Beograd.

Presidenti Vuçiç po përballet me protesta dhe ai nuk do ta ketë të lehtë tu thotë serbëve një ditë: po, kam ndryshuar mendjen, do ta njohim Kosovën!

Ndaj, siç ndodh rëndom në të tilla raste, propaganda qeveritare është hedhur në aksion. Kohët e fundit po luhet teza frikësuese: faktorë të ndryshëm po i thonë serbëve e shqiptarëve se pa marrëveshje, e ardhmja do të jetë e errët dhe lufta nuk përjashtohet.

“Marrëveshja për të mbyllur konfliktin historik”, shkruajti Rama në Twitter pas telefonatës me Bolton.

Nga ana tjetër, Aleksandër Vuçiç pompon në opinionin publik serb idenë e rrezikut të luftës së re në Ballkan. Praktikisht, ai po i thotë popullit të vet: duhet të biem dakord me ata, ndryshe rrezikojmë shumë.

Një nga gazetat kryesore të Beogradit, e njohur për lidhjet e afërta me Vuçiçin, “Kurir” ka publikuar në faqe të parë një paralajmërim: Marrëveshje ose luftë me shqiptarët.

Dhe, për ta bërë më të besueshme këtë tezë e ka vënë kërcënimin në gojën e presidentëve Trump dhe Putin.

“Putin dhe Trump dërgojnë paralajmërimin e tmerrshëm: Do të shkoni në luftë përsëri! – Nëse nuk zgjidhet çështja e Kosovës përgatituni për një luftë të re me shqiptarët”.