Dikur kishte thënë se “Islami është një gënjeshtër” dhe “Kurani është helm”, ish-politikani holandez konvertohet në Islam

Një ish-anëtar i partisë holandeze të ekstremit të djathtë njoftoi të hënën se ai është konvertuar në Islam.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Joram Van Klaveren ka thënë se ai një konvertim të tillë e ka bërë derisa po shkruante një libër për Islamin.

“Gjatë këtij shkrimi hasa gjithnjë e më shumë gjëra që e bënë pikëpamjen time mbi Islamin të lëkundur”, tha ai për një radio holandeze.

Van Klaveren ishte anëtar i parlamentit për Partinë e Lirisë (PVV) nga 2010 në 2014, por e la partinë pasi Wilders i kërkoi mbështetësit gjatë një tubimi në 2014 nëse ata donin më shumë ose më pak marokenë në Holandë, për të cilën gjë turma u përgjigj ”Më pak! Më pak! Më pak!”

Pas largimit nga PVV, Van Klaveren krijoi partinë e tij, Për Holandën, por nuk arriti të fitojë një vend në zgjedhjet kombëtare të vitit 2017 dhe u largua nga politika.

Van Klaveren ishte kritik i ashpër i Islamit gjatë kohës së tij si politikan i PVV, duke thënë se “Islami është një gënjeshtër” dhe “Kurani është helm”, thuhet në gazetën NRC.

I pyetur në intervistën e gazetës nëse ndihej fajtor për këto deklarata, Van Klaveren tha se ishte “thjesht gabim”, duke shtuar se ishte “politika PVV: gjithçka që ishte e gabuar duhej të lidhej me Islamin në një mënyrë apo në një tjetër”./Telegrafi