Spektali, bajraktarizmi e lokalizmi politik

E shkruar nga: Ali DULA

Në ekspansionin global të një kulture konsumatore dhe botëkuptimit estradesk, shoqëria jonë ditë e më shumë po shëndrrohet në “shoqëri spektakli”.

Tashmë në shumë ngjarje, “shoqëri spektakli” është bërë një proces i vazhdueshëm i një vetspektaklizimi, që nga aparati shtetëror kur krijon dekorime e shpërblime për vendime të rëndësishme shtetërore, deri te shoqëria që është e gatshme ta pranojë dënimin për të gjithë ata që krijojnë art të pakontrolluar dhe situata komunikuese me kontekste tërësisht të varfëra.

Filluam me 28 Nëntorin (qoftë i festuar e uruar përgjithmonë), e që vijojmë tani akoma së shpejti me fundin e vitit. Vetëm në ca data të caktuara do “të kënaqemi e kërcejmë”, mblidhemi nëpër ngjarje sa më solemne, të bukura (madje dhe këto me imitime të verbëra -kiç) duke u gëzuar me numrimin e sukseseve dhe vetëm sukseseve, e nga statusi i realitetit qytetar mbetemi akoma shoqëri më e izoluar në hartën evropiane e çka tjetër regres jo, por gjithsesi prapë “të lumtur e krenar”.

Shoqëria jokritike e vetspektaklizimit me vetëdije të nënshtruar dhe që kohën e lirë për mendim- kreativ e veprim-funksional e ka shëndërruar në parazitje totale me një vetkënaqësi pusuese, kjo nuk është vetëm koleksion i imazheve që i shohim përmes mjeteve të komunikimit masiv, por një relacion shoqëror i njerëzve të cilët mentalitetin e tyre e kanë aftësuar me këtë situatë vetknaqësie e nënshtrimi. E kritiku Guy Debord, potencon se tashmë këtë vështrim dhe qasje ndaj botës së spektaklizimit,njerëzit e kanë materializuar në masë të madhe.

Ditëve të fundvitit në të gjitha ngjarjet politike, kulturore apo dhe sportive, përmes disa spektaklizimeve partiake ajo që vërehet në mes rreshtave të disa fjalimeve politike është ngarendja për përvetësim të krediteve politike. Megjithëse kjo nuk është gjë e re për identikun politik shqiptar. Sindromi patetik për të marrë sa më shumë kredi politike-partiake e personale edhe kur bëhen punët obligative të shtetit e identifikon vullkanin e asaj dëshire që topitet me ndjenjën e egos dhe bajraktarizmit në popull.

Siç ishte me rastin e formimit të ushtrisë së vendit, pa çka se vendimi për themelim të ushtrisë duhet parë si një obligim normal të udhëheqjes politike, si detyrë e rëndësishme ndaj vendit dhe nevojë kruciale e shtetit, por pa e ngarkuar fare kaq theksueshëm akcentrin liderist e partiak.

Patetizmat bajraktariste e lokaliste sikur duan t`i eklipsojnë shumë intelektualë, dëshmorë, atdhetarë e gjithë këtë popull liridashës që kontribuoi ndër gjenerata e vite për liri, secili në mundësi të mundshme. Jo mirë kur në këso situata gjithandej ushqehet kultura partiake në vend të kulturës shtetërore, apo edhe ajo lokaliste e militantizmit për merito liderin dhe varshmërinë e pashkëputshme ndaj tij. Liderët vijnë e ikin e shteti na mbetet neve.

Andaj, madhështimet hiperboliste të liderëve të caktuar partiakë në mediet online, na pasqyruan se sa i hyryshur është mentaliteti militantist partiak e lokalist duke e varfëruar kështu mendimin e zhvilluar kritik qytetar dhe koshiencën për kulturën e vërtetë shtetërore. Nga një mentalitet i tillë mahalle e tifozllëku, nuk është çudi nëse nesër dëgjojmë kërkesën ultimative të radhës në kuvend, që gjeneral lejtnanti i ushtrisë sonë të jetë nga Ferizaji, përndryshe do të bjerë qeveria!