Vlerësimet tona për BE-në jo reale!

Vlerësimet tona për BE-në jo reale!

Është tërësisht e pakuptimtë të thuhet që BE po i bënë padrejtësi Kosovës. Nuk mund të arsyetohet moszhvillimi dhe qeverisjet skandaloze me qëndrime iracionale. Mosliberalizimi i vizave është rezultat i punës tonë që kemi bërë për dy dekada radhazi.
Sundimi i rendit dhe ligjit, fuqizimi i demokracisë, zhvillimi ekonomik, ndalja e korrupsionit, reformat në arsim, rregullimi i shëndetësis së gjendur në mjerim, janë ekskluzivisht çështje që duhet t’i rregullojmë ne dhe jo Bashkimi Evropian. Sikur të ndodhte liberalizimi, secili do të vraponte për të marrë poena politikë, por tash, të ngelur para një akti të kryer, para gënjeshtrave disavjeqare për liberalizim, jepen arsyetime iracionale pa asnjë bazë të vetme.
Për dy dekada shteti është trajtuar si pronë private, dhe sot fajsohet BE për mosliberalizim të vizave. Nuk ka koment. Kemi vërtet politikë të papërgjegjshëme. Është perëndimi që para dy dekadave sulmoi ushtarakisht Serbinë, a do të thot kjo se atëher ishin me ne, e sot janë me Serbinë? Është po ajo politikë e Evropës që është zhvilluar atëher, mirëpo ne nuk jemi ata që kemi qenë. Atëbot, kemi dhënë gjithçka për këtë vend, ndërsa sot po duam të marrim gjithçka nga ky vend.
Prandaj, duhet ndryshuar politika jonë, faji është këtu, duhet ti kthehemi realitetit, të marrim përgjegjësi për shtetin dhe të jemi të përgjegjshëm për veprimet tona.
Duhet bërë atë çfarë është kërkuar në çdo raport të BE-së për Kosovën, ku çdo herë na është kujtuar sundimi i rendit dhe ligjit, largimi i korrupsionit, një gjyqësor të papolitizuar, dhe shumë të tjera. Ata që sot e fajsojnë BE-në, janë ata që kanë marrë çfarë kanë mundur nga ky shtet për njëzet vite, janë ata që marrin paga të majme, ata që kanë krijuar biznese nga vjedhja e buxhetit të këtij vendi, janë ata që marrin nga dy, tri e më shumë paga, janë ata që për këtë shoqëri nuk lodhën dhe as që e qajnë kokën. Prandaj, fajsimi i BE-së është jo real, sepse duhet shikuar edhe nga kush po bëhet ky fajësim.
Është politika jonë e jashtme analfabete, ambasadorët e dërguar mbi baza familjare dhe nepotike që kanë bërë të pasukseshëm pranimin në UNESKO dhe INTERPOL.
Përfundimisht, duhet t’u kthehemi çështjeve të brendshëme, të rregullojmë shtetin si duhet dhe të mos ankohemi ndaj të tjerëve. Ky vend nuk është qeverisur gjatë këtyre dy dekadave, por është sunduar nga një klas politike e papërgjegjshëme, të cilës po i shohim sherrin e gjithë shoqëria.

Loading...