Imami i njohur nga Llapi: Ka celula të ekstremizmit në Podujevë, është dukuri e shëmtuar

HomeLajmeKosovë

Imami i njohur nga Llapi: Ka celula të ekstremizmit në Podujevë, është dukuri e shëmtuar

Xhamia “Met Podujeva” është e mbushur goxha me besimtarë, ndonëse temperaturat janë të larta. Teksa po thirrej ezani për faljen e drekës, Idriz Bilalli, hoxhë i njohur i Llapit, bëhej gati për t’u prirë besimtarëve.

E shfrytëzoj rastin të shoh “demografinë” e njerëzve që kanë zgjedhë xhaminë e mulla Bilallit për ta kryer këtë obligim fetar. Shumica janë të moshuar, por nuk mungojnë as më të rinjtë, e rrallë shoh fëmijë.

Namazi kryhet shpejt, ndërsa unë po e prisja në zyrën e tij modeste, e cila gjatë viteve të 90-ta ishte përdorur edhe nga Komisioni për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Podujevë.

Sulmi brutal ndaj imamit

Mulla Bilalli, një figurë gjerësisht e respektuar në rajonin e Llapit, zë vend përballë meje, duke u bërë gati për intervistë.

Shëndetlig për shkak të transplantit të veshkës, por shumë energjik, Bilalli duket si kurrë më i gatshëm për të folur rreth islamit, ekstremizmit, e jetës fetare në Podujevë.

Natyrisht, pyetja e parë drejtuar imamit ka të bëjë me sulmin ndaj një kolegu të tij, Zeqir Berisha, që u rrah gati për vdekje nga tre vëllezërit Murturi, të cilët tashmë janë në paraburgim për 30 ditë.

Mulla Bilalli është i tmerruar me rastin, duke theksuar se sulmi ndaj imamit Berisha nuk është i rastësishëm.

“Mue m’ka prekë shumë ky rast. Sulmi brutal ndaj imamit është i përgatitur mirë, i paramenduar prej çarqeve të errëta që nuk ia dojnë të mirën këtij vendi. Imami nuk ka pasë të keqe me askë, se e njoh personalisht. Kushdo që të jetë prapa, është veprimi më i keq i mundur që ka mujtë me ndodhë në komunë të Podujevës dhe në Kosovë”, deklaron me fytyrë të mërzitur hoxhë Bilalli.

Natyrshëm tema e ardhshme e diskutimit ishte ekstremizmi në Podujevë, një rajon që ishte krejtësisht imun ndaj rrymave më ekstreme të Islamit.

Me një dozë krenarie, mulla Bilalli thotë se Podujeva dikur ishte model i mirë i kultivimit të islamit tradicional.

Ai përmend faktin se asnjë person nga Podujeva nuk ishte përfshirë në luftën në Siri, duke shtuar se nuk kishte ndonjë hoxhë të arrestuar gjatë vitit 2014, kur disa prej imamëve më të njohur të Kosovës kishin përfunduar prapa grilave.

Si ish-udhëheqës i Bashkësisë Islame të Podujevës, ai është ndoshta më meritori për një gjë tillë.

“Deri tash, para dy-tri vjetve, Llapi ka qenë fatmirësisht i pastër. Kemi pasur në kontroll situatën në Podujevë. Këshilli i Bashkësisë Islame i ka menaxhu mirë xhamiat, kemi pasë bashkëpunim me imamët, asnjë person nga Llapi nuk ka pasë të involvuar në ato shkumjet e famshme në ISIS, e as imamë të arrestuar. Dmth kjo ka qenë një meritë e jona”, thotë rrufeshëm Bilalli.

“Celulat e ekstremizmit”

Por, imami i xhamisë “Met Podujeva” është tashmë i brengosur për situatën në terren. Krahas sulmit ndaj imamit Berisha, tensione pati edhe në xhaminë e Halabakut të Podujevës, duke shtyrë Policinë të intervenonte.

Mulla Bilalli është i drejtpërdrejtë kur pyetet nëse ekzistojnë persona të radikalizuar në Llap.

“Unë mendoj me aq sa kam njohuri që ka celula të ekstremizmit këtu, ka njerëz që prej jashtë Llapit vijnë dhe e promovojnë, ligjërojnë një islam më ekstrem. Janë më të msheftë, më jopublikisht, por ligjërojnë në grupe të caktuara. Unë mendoj se nuk ndodh nëpër xhamia, por ndodh më shumë nëpër vende të mshefta”, deklaron ai.

Megjithatë, Bilalli thotë se në Podujevë vazhdon të kultivohet “islami tradicional”, duke theksuar se sulmet e fundit nuk përkojnë aspak me Kuranin.

“Unë po flas në radhë të parë për shkak të sulmit ndaj kolegut tim, dhe se kjo si dukuri është e shëmtuar dhe s’ka të bëjë asgjë me Kuran, as me ndonjë normë njerëzore, e traditë tonën”, thotë ai.

Për situatën me ekstremizmin në Podujevë e Kosovë, Bilalli e fajëson kreun Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnavën, i cili e kishte shkarkuar atë kohë më parë nga udhëheqja e BIK-ut në Podujevë.

Heshtja e institucioneve e hoxhallarëve

Imami Bilalli është i habitur me heshtjen e kolegëve të tij kundrejt sulmit ndaj Berishës.

“Heshtja është e dhimshme, është për keqardhje, sepse pavarësisht kush apo çfarë rrethane, kur sulmohet një imam në xhami, në vendin e punës, është dashtë me bo një reagim së paku ne kolegët që jemi nëpër xhamia”, thotë hoxha.

Por, ai është pak më i rezervuar kur është puna për heshtjen e institucioneve. Mulla Bilalli beson se heshtja e tyre ka të bëjë me rrethanat ku gjendet Kosova, duke përmendur aplikimin në Këshill të Evropës e pritjet për liberalizim të vizave.

“Nashta unë po kursehem pak në fjalë për shkak të rrethanave që jemi si Kosovë dhe unë po shpresoj që për këtë arsye edhe institucionet tona rastin e sulmit ndaj imamit s’e kanë bë shumë të madhe. Po kam dëshirë me intrepretu që heshtja është për mos me i dhënë një imazh të keq vendit, në proceset që i kemi shumë afër”, shton Bilalli.

Përkundër ndodhive të fundit, imami duket optimist se interpretimet paqësore të Islamit do të vazhdojnë të jenë të gjithëpranuara.

“Unë për herë të parë e kam përdorë termin islami tradicional. Islami është një, por në praktikimin, të kuptuarit, në zbatimin, në ritet, është ajo tradicionalja, që e kemi trashëguar prej hoxhallarëve dhe ulemave të vjetër. D.m.th. janë në pyetje 700 vjet. Te na në Llap, në mënyrë absolute, ekziston ky islam tradicional”, përfundon imami.

COMMENTS

x