fbpx

I akuzuari gjendet në Gjermani, pezullohet gjykimi për rrahjen e të dëmtuarve

HomeLajmeKosovë

I akuzuari gjendet në Gjermani, pezullohet gjykimi për rrahjen e të dëmtuarve

Gjykata Themelore në Gjakovë, në seancën e së enjtes, e ka pezulluar procedurën penale ndaj M.P, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, ngase i njëjti gjendet në Gjermani.

Një aktvendim të tillë e ka marrë gjykatësja e rastit, Ilirjana Hoti, pasi që ndaj të akuzuarit P. ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim, mirëpo sipas njoftimit të Stacionit Policor në Gjakovë, ai gjendet në Gjermani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatëses Hoti, shqyrtimi do të vazhdojë pas sigurimit të prezencës së të akuzuarit, për të cilin gjykata do të lëshojë urdhërarrest.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se M.P, më 2 gusht 2021, rreth orës 21:30, në rrugën “Haxhi Zeka” në Gjakovë, me dashje i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarve, F.M dhe A.M.

Tutje sipas aktakuzës, ditën kritike për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëhershme, i akuzuari shkon te shtëpia e të dëmtuarve, ku fillimisht i drejtohet të dëmtuarit F. me fjalët “Ku je p* nanës që po shan në telefon” dhe menjëherë e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushte në fytyrë dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, në ato momentë ndërhyn e dëmtuara A. për t’i ndarë, mirëpo i akuzuari e sulmon të njëjtën fizikisht, duke e goditur me grusht në regjionin e buzës.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1 nënparagrafi 1.4 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

COMMENTS

x