Hulumtimi i Insajderit përmes një Audio-incizimi pretendon përfshirjen në ryshfet të zv. ministri të qeverisë Kurti

6 minutes, 32 seconds Read

Një hulumtim i Insajderit i nisur muaj më parë pas një denoncimi publik ka zbuluar se zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji dyshohet se është përfshirë në një aferë ryshfeti. Edhe Policia tashmë po merret me rastin. Insajderi sjell audio-incizimet që dëshmojnë përfshirjen e tij në këtë aferë për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh

“… a të ka kallëzu ai sa përafërsisht munet?”…se këta pa ju dhanë diçka nuk kryejnë punë”.

Janë këto disa pjesë të bisedave që zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, Almir Veliji i bën më një person (emër i njohur për Insajderin) e ku flasin për një aferë ryshfeti.

Zëvendësministri Veliji, i emëruar nga kryeministri Albin Kurti, në këto audio-incizime që i ka siguruar Insajderi e që janë deponuar edhe në Policinë e Kosovës, flet për një grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh.

Audio-incizimi që e ka siguruar Gazeta Insajderi tashmë është në posedim edhe nga Policia e Kosovës që po e hetojnë këtë rast.

“Referuar kërkesës suaj mund të ju konfirmojmë se Policia e Kosovës posedon informacionin si dhe është në  fazën fillestare të hetimeve në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Gazetën Insajderi.

Ky audio-incizim, pos tjerash dëshmon që për këtë grant qeveritar prej dhjetëra mijëra eurosh, zëvendësministri Veliji, pos telefonatave kishe zhvilluar edhe takim.

Madje kishte në posedim edhe flet-aplikimin e qytetarit që ishte në proces të marrjes së grantit, që do të mbulonte një pjesë të investimit, pasi që pjesën tjetër e kishte mbuluar me investime vetanake.

Krejt çka mungonte në këtë proces, sipas bisedës që zhvillohet mes personit X dhe Almir Velijit mbetet përcaktimi i çmimit të ryshfetit që do të jepej që granti qeveritar të realizohej.

Që nga viti 2021 një seri rastesh për keqpërdorim të granteve qeveritare, me theks të veçantë atyre në bujqësi janë hetuar nga Prokuroria. Një pjesë e tyre tashmë janë deponuar në Gjykatë me aktakuzë.

Rasti i fundit ishte ai i dhjetorit të vitit të kaluar ku Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë  kundër 15 të akuzuarve për rastin e njohur “Subvencionet II”.

Rasti “Subvencionet I” në shtator 2022 pati edhe një seancë shqyrtimi edhe në Gjykatën e Apelit, pasi që në prill të atij viti Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj shtatë të akuzuarve që ishin dënuar me 6 vite e 1 muaj burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

“pa ju dhanë diçka nuk kryejnë punë”

Në këtë audio-incizim që e ka siguruar Gazeta Insajderi flitet për afro 70 mijë euro para të shtetit që do të jepeshin si grant qeveritar, por bashkë-biseduesit nuk arrijnë deri te pika e përcaktimit të çmimit të ryshfetit, por definohet se pa ryshfet nuk kryhet puna.

“E dëgjo, unë piva kafe me atë mbrëmë, më tha … s’po di unë burrë, me kanë me më kallzu ata p.sh me thënë qekaq”, i raporton personi X Zëvendësministrit Almir Veliji, duke i treguar hallin se nuk po di se sa para ryshfet duhet të kërkohen për grantin prej afro 70 mijë eurosh.

Të njëjtin hall e shfaq edhe Zëvendësministri Veliji kur i drejtohet personit X duke i thënë që “ai s’ta ka thënë përafërsisht sa mundet, sa nuk mundet?”.

Ai person i raporton Zëvendësministrit duke i treguar se qytetari që ka aplikuar për grantin qeveritar ka investuar afro 30 mijë euro para të tijat në projektim dhe pret afro 70 mijë të tjera nga granti, gjë që me pohim e miraton Veliji.

Edhe pse Zëvendësministri Veliji shprehet që nuk është marrë me këtë formë ndërmjetësimi, shprehet i bindur se pa dhënë diçka nuk mund të vazhdonte aplikimi tutje.

“Kurrë s’jam marrë vallain unë qeshtu vallain se, e di se ata pa ju dhanë diçka ata nuk e kryejnë a po kupton?”, dëgjohet duke thënë Veliji.

Zëvendësministri Veliji e mori edhe vet aplikacionin e personit që po i kërkohej ryshfet

Në një bisedë të më vonshme Zëvendësministri Veliji e pranon që direkt e ka marrë aplikacionin për këtë grant.

“Jo çka më the më herët se më herët nuk e kuptova çka më the, u kry ajo punë e kështu se s’po di burrë, ti herë po më thua ashtu, herë knej diçka, e se kuptova mirë”, i thotë personi që komunikon me Zëvëndësministrin Veliji derisa ky i fundit ia rikujton që “që ma dërgove, që ma dërgove për atë shokun bujqësi”

“X: Atë fletën, atë farë aplikimin për atë tenderin a? Almir Veliji: Po po, po qajo qajo. X: Aha, okej, e çka me bë tash? Almir Veliji: Jo kurgjo, vetëm që të thashë që puna u kry, kurrgjë tjetër”.

Në fund të nëntorit të vitit 2022 i njëjti Zëvendësministër ishte denoncuar edhe publikisht për një aferë tjetër ku ai akuzohej për përfshirje në ryshfet e e që mori para në qese.

“Zotëri, zv. Ministër, unë ju bëra ftesën me kërkesën tuaj për ta vizituar Zvicrën (foto1). Unë morra të gjitha garancitë dhe bëra deponi të të hollave që ju të pajiseni me Vizë (foto2). Unë ju pagova biletën e udhëtimit (foto3). Unë ju prita në aeroportin e Baselit dhe ju dërgova deri tek Hoteli në Cyrih. Unë ju bëra rezervimin e hotelit, mirëpo hotelin e paguat ju vetë, vetëm kjo është e vërteta! Unë ju kam shëtitur në Cyrih, ju kam nxjerr në drekë dhe për kafe. Paraqitjet e juaja që i bëni, a keni harruar se unë ju bleva tre palë kostume, këpucë dhe kravata? A keni harruar, drekat dhe kafet në Kosovë? A harruat, kur ju kam dërguar para për Wsterunion (foto4). Harrove që ti dhashë në CHE Bar, 3500 € të mbështjella në një qese? Kishe shumë nevojë për shkak të borxheve që kishe për ti kthyer që kishe vjedhur nga subjekti yt politikë”, kishte shkruar Binak Sylaj në profilin e tij, siç raportonte Insajderi.

Sylaj në këtë postim i kishte përmendur edhe përfshirjen në ryshfet bash për grante.

“Kur një ditë të ballafaqova dhe të thash se je i përfshirë në ryshfet lidhur me grantet dhe anulimin e aplikuesëve për grante, aty përfundojë çdo gjë mes nesh. E para për shkak se, ke shfrytëzuar çdo të mirë njerëzore nga unë, e dyta për shkak se shfrytëzon detyrën dhe veturën zyrtare, mbushjet e kartelave të valës dhe shumë send tjetër. Kurrë mos akuzo askënd për shpifje apo gjë tjetër, e vërteta është kjo. Unë nuk shantazhohem KURRË”, kishte shkruar ai.

Gazeta Insajderi atë ditë kishte botuar edhe reagimin e Almir Velijit. 18:14 – 24 Nëntor 2022. Ai ka thënë për Gazetën Insajderi se gjithçka se çfarë ka thënë Syla është e vërtetë, përpos punës së ryshfetit.

“Unë jam shumë i pastër, dhe për këtë jam shumë i lumtur. Nuk është e vërtetë se kam marrë ryshfet, dhe për këtë do ta padisë personin në fjalë qysh nesër përmes avokatit tim”, pati thënë Veliji për Insajderi.

Publikime te ngjashme