Hovenier: ShBA-ja kundër çdo Asociacioni që mund t’i ngjajë Republikës Srpska

3 minutes, 16 seconds Read

Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin dhe nuk do të mbështesin diçka që edhe veç një grimcë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”.

Kjo është deklarata e ambasadorit të ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kur pyetet se cili është qëndrimi i ShBA-së për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Hovenier tha se ShBA-të nuk i kanë kërkuar asnjëherë Kosovës që të themelojë diçka që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

“Por, dua të jem shumë i qartë dhe e kam thënë këtë shumë herë tashmë, dhe me siguri do ta them prapë: Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që shkel Kushtetutën e saj; Shtetet e Bashkuara nuk po i kërkojnë Kosovës që të bëjë diçka që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015; Shtetet e Bashkuara nuk mbështet dhe nuk do të mbështetë diçka që edhe veç një grimcë mund t’i përngjajë Republikës Serbe”, ka deklaruar ai.

Hovenier u shpreh se ShBA është duke kërkuar një lloj Asociacioni, i cili bën vetëm renditjen në mënyrë më të mirë të funksioneve qeverisëse komunale, që tashmë, sipas tij, rregullohen edhe përmes ligjeve të Kushtetutës.

“Po kërkojmë një Asociacion të komunave me shumicë serbe që i bashkërendit më mirë funksionet që këto qeverisje komunale tashmë i kanë sipas Kushtetutës së Kosovës, në fushat si kujdesi shëndetësor, arsimi, rregullimi urban, planifikimi, që ua mundëson atyre që në mënyrë më efikase t’i përdorin, t’i përmbushin ato përgjegjësi, në një mënyrë që është domethënëse për komunitetin etnik serb”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

“Siç e kam thënë, pritjet tona janë që të ketë përparim dhe do ta citoj sërish deklaratën e Departamentit të Shtetit “duhet të ketë përparim në krijimin e tij në këtë proces”. Në afat të gjatë, presim që të ketë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe. Gjithashtu, siç e thashë, presim që ajo të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që të mos jetë shtresë e tretë të pushtetit, assesi të mos jetë përsëritje e Republikës Serbe, por të jetë diçka që ua mundëson këtyre komunave të bashkërenditin çështjet e tyre se si i përmbushin funksionet e tyre komunale dhe që të bëjnë atë në mënyrë më efikase”, ka vijuar ai.

Tutje, Hovenier ka thënë se nuk pret që çështja e Asociacionit të jetë e para që përfundon, por as edhe e fundit.

“E dini, dua të theksoj këtu se edhe pse Shtetet e Bashkuara fuqimisht e mbështetin dialogun, ky është dialog i lehtësuar nga BE-ja dhe BE-ja ka emëruar një përfaqësues të posaçëm, Miroslav Lajçak, si personin kryesor për lehtësimin e dialogut. Prandaj, është z. Lajçak ai që duhet të mendojë – së bashku me palët – rreth renditjes së pjesëve të ndryshme brenda dialogut. Nuk ma merr mendja që Asociacioni do të jetë gjëja e parë që kryhet; gjithashtu nuk ma merr mendja që Asociacioni do të jetë gjëja e fundit që kryhet. Por, mendoj se përderisa ky proces ec përpara, edhe ne presim të shohim përparim drejt zbatimit të Asociacionit”, ka thënë ai.

Një gjë mbetet e qartë, sipas tij, se qëndrimi i ShBA-së, lidhur me Asociacionin, nuk ka ndryshuar dhe as nuk pritet të ndryshojë. Themelimi i Asociacionit, sipas tij, është zotim i Qeverisë së Kosovës, përmes marrëveshjes së Brukselit.

Publikime te ngjashme