fbpx

Histori të dyshimta i përcollën shokët e qelisë së Deharit

HomeLajme

Histori të dyshimta i përcollën shokët e qelisë së Deharit

Histori që nxisin dyshime i përcollën tre personat të cilët e ndanin të njëjtën qeli me Astrit Deharin, që nga vdekja e tij në rrethana të pasqaruara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Njëri prej tyre, Adonis Gashi, është arratisur nga burgu. Ai ishte dënuar me 8 vjet burgim për pjesëmarrje në vrasjen e policit Shemsi Gashi, shkruan KOHA Ditore.

Personi më i afërt me Deharin në Qendrën e Paraburgimit, e gjithashtu njeriu i parë që e pati gjetur atë të shtrirë në dhomë, Naser Makolli, ka vdekur në Burgun e Lipjanit.

I treti është Frrok Lasku, një 65-vjeçar i dënuar për trafikim me narkotikë. Ai është liruar vitin e kaluar, 7 muaj para se t’i përfundonte dënimi.

Disa muaj pas Lasku ishte intervistuar sërish në procesin hetimor për zbardhjen e vdekjes se Astrit Deharit.

Në procesverbalin e intervistimit në cilësinë e dëshmitarit, në shkurt të këtij viti, Laski ka deklaruar se nuk i kishte parë asnjë nga lëndimet në pjesë të ndryshme të trupit të Deharit, që janë evidencuar në ekspertizë.

“Prokurori ia tregon dëshmitarit fotografitë 1,2 dhe 3 në shenjën MA16 286, ku shihen lëndimet në qafë dhe e ka pyetur dëshmitarin nëse i ka parë më herët këto lëndime”, thuhet në procesverbalin të cilin e ka KOHA.

“Nuk i kam parë këto lëndime”, citohet të ketë thënë Laski.

Me tej, sipas procesverbalit, Prokuroria ia ka treguar dëshmitarit fotografinë numër 4, ku shihet ana e pasme e qafës së Deharit, dhe e ka pyetur atë se a i ka parë me herët lëndimet në qafë.

“Nuk i kam parë këto lëndime në qafën e Astritit”, është përgjigjur ai.

Prokurori ia ka treguar dëshmitarit edhe fotografitë që në dosje janë të shënuara me numër 5 dhe 6, ku janë të evidencuara disa lëndime në kyçin e dorës së majtë të Astrit Deharit, dhe e ka pyetur dëshmitarin nëse i ka parë më herët ato lëndime.

“Nuk i kam parë këto lëndime”, është përgjigjur edhe në këtë pyetje Laski.

Ai, sipas procesverbalit, nuk i ka vërejtur as lëndimet në pjesën e ballit.

Laski në dëshminë e tij të fundit ka thënë se nuk kishte raporte të afërta me Deharin, por është njeriu i dytë që e ka parë atë në pozitë të shtrirë ditën e vdekjes.

COMMENTS

x