fbpx

Hilli kërkon të shtyhet vendimi për targat për një vit: “Të zgjidhen tema më të rëndësishme”

HomeLajmeKosovë

Hilli kërkon të shtyhet vendimi për targat për një vit: “Të zgjidhen tema më të rëndësishme”

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill deklaroi se ka pasur një “bisedë të këndshme” me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, për bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradi që u mbajtën të hënën në Bruksel.

Hill vlerësoi se Vuçiqi pati një “angazhim konstruktiv” dialog, duke shtuar se shpreson që të gjendet në zgjidhje për problemin e targave në Kosovë, raporton N1, përcjell lajmi.net.

“Kam pasur një bisedë shumë të mirë me presidentin Vuçiq për procesin e Brukselit. E inkurajova presidentin Vuçiq që të vazhdojë përfshirjen e tij konstruktive në proces, me shpresën se do të gjejmë një zgjidhje. Në fund, të dyja palët do të duhet të përfshihen, por një qasje konstruktive është ajo e duhura. Kam besim të plotë kur njerëz me përvojë si përfaqësuesi i lartë (BE) Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak punojnë për këtë çështje, se mund të arrihet një zgjidhje”, u tha Hill gazetarëve pas takimit me Vuçiqin.

Ai nënvizoi se SHBA-të e vlerësojnë shumë punën që BE-ja po bën në dialog dhe se personalisht i bën përshtypje që një njeri me reputacionin si Josep Borrell dje u angazhua për tetë orë në detaje të rëndësishme në lidhje me marrëveshje për targat.

“Unë mendoj se BE-ja po bën një punë të shkëlqyer. Ne nuk mund të lejojmë që problemet si targat të pengojnë temat më të rëndësishme, qasjen e përgjithshme ndaj dallimeve kryesore”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar mbrëmë kërkesën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, për shtyrjen e vendimit për 48-orë të gjobitjes së pronarëve të veturave me targa ilegale serbe. Megjithatë, ambasadori Hill mendon se ky afat nuk mjafton.

“Unë mendoj se BE-ja e ka bërë të qartë se nevojiten më shumë se 48 orë, se do të donin t’i shtonin kësaj edhe 363 ditë të tjera. Ne (SHBA) jemi plotësisht të sinkronizuar me BE-në”, tha ai.

Hill shtoi se nuk do t’i vlerësonte bisedimet e djeshme në Bruksel si “të dështuara” dhe se nevojiten bisedime shtesë, si dhe se të dyja palët duhet të jenë më fleksibile për të arritur një zgjidhje. /Lajmi.net