fbpx

Hasani: Pas shamisë do të kërkojnë të mësojmë Kuran, shfuqizimi i udhëzimit administrativ jokushtetues

HomeLajmeKosovë

Hasani: Pas shamisë do të kërkojnë të mësojmë Kuran, shfuqizimi i udhëzimit administrativ jokushtetues

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, në një intervistë për Gazetën Express e ka trajtuar me shqetësim fushatën agresive që po bëhet në rrjetet sociale për futjen e shamisë në shkolla. Ai thotë se ata që po japin një mendim ndryshe po linçohen e poshtërohen publikisht. Sipas Hasanit, pas shamisë që po arsyetohet me “mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve” do të vijë kërkesa për mësim të Kuranit që “do të arsyetohet me të drejtën për mësimin e fesë, versionit më radikal të Islamit”. Hasani ka kritikuar ashpër Kurtin që dha indikacione se mund ta lejojë përdorimin e shamisë për vajzat e moshës mbi 16 vjeçe, duke thënë se Kryeministri nuk mund të caktojë moshën e pjekurisë, as profilin psikologjik të personave të mitur. Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka përmendur rastin kur këtij institucioni i ishte kërkuar të “flasë” për shaminë – përfundimi ishte se bartja e shamisë nëpër shkolla parauniversitare publike bie ndesh me Kushtetutën. I tillë, antikushtetues, sipas Hasanit është edhe shfuqizimi i udhëzimit administrativ nëse ndodh.

Ka nisur një debat në rrjetet sociale për dhe kundër shamisë në shkolla. Qeverisë Kurti po i kërkohet të marrë një vendim që lejon këtë simbol fetar në shkollat laike. Sipas jush çfarë duhet të bëjë Kryeministri?

Hasani: Nuk mendoj së këtu bëhet fjalë për debat, por për një fushatë krejtësisht brutale, e orientuar kah frikësimi dhe dekurajimi i mendimit tjetër, linçimi i njerëzve që nuk mendojnë sikur ata që i prijnë kësaj fushate, deri në terrorizim dhe poshtërim publik të njerëzve të ndershëm dhe familjeve të tyre. Kjo logjikë është e papranueshme dhe duhet të evidentohet qartë.

Zoti Kurti duhet të zbatojë Kushtetutën, si aktin suprem të vendit mbi të cilën është betuar, dokumentin më sublim që kemi dhe që definon vendin tonë si një shtet laik. Krejt vendet demokratike në dy anët e Atlantikut u takojnë dy modeleve kushtetuese për sa i përket marrëdhënies së fesë me shtetin, që reflektohen në kushtetutat nacionale, ligjet dhe praktikat e veprimit politik në çështjet fetare. I pari model është laiciteti, i dyti sekulariteti. Ky dallim në mes të dy modeleve është i madh dhe ngërthen përvojën historike dhe aktuale që ka definuar natyrën e revolucioneve në Amerikë dhe Francë në fund të shek. 18-të. Në rastin e laicitetit bëhet fjalë për lirinë nga feja (religjioni), kurse te sekulariteti kemi të bëjmë me lirinë e fesë dhe besimit. Në rastin e parë, roli i shtetit është aktiv dhe vendimtar në mbrojtjen e individit nga feja dhe ndikimi i saj negativ, kurse në të dytin shteti është pasiv (minimal), duke garantuar lirinë sipas shprehjes së njohur të Kushtetutës Amerikane mbi “klauzolën e mosthemelimit”. Laiciteti francez, i sqaruar tepër bukur nga Hanah Arend në veprën e saj “Mbi revolucioin”, ka rrënjët në ideatorin shpirtëror të Revolucionit Francez, Zhan Zhak Ruso, dhe veprën e tij “Emil ose mbi Edukimin”. Në këtë vepër, që më pas u bë standard kushtetues mbi laicitetin, shteti ka rol parësor në edukimin publik me qëllim që individi të largohet dhe mbrohet nga dogmat fetare. Sot në krejt botën, në kushtetutat nacionale laiciteti asocohet me këtë koncept, pra me mbrojtjen e qytetarëve nga teprimet e fesë. Në SHBA, ndërkaq, babai shpirtëror i Revolucionit, sikundër dihet, është një tjetër

filozof, Xhon Lloku, i cili lirinë e ka kuptuar në terma libertarian dhe me pikë referimi lirinë e munguar fetare të atyre që shkuan në Amerikë për pasi ikën nga persekutimi i papëve katolikë në Evropë dhe etja e tyre për realizmim të lirisë së fesë dhe besimit. Kjo më pas u quajt sekularizëm dhe shpjegon pse në Amerikë ka më shumë mirëkuptim për lirinë e fesë dhe ku shteti është minimal dhe nuk ndërhynë fare në realzimin kësaj lirie.  E thënë shkurt: liria në Francë realizohet, jo në kundërshtim me shtetin dhe kundër tij, por në bashkëpunim me të, kurse në Amerikë është krejt e kundërta. Në kontekstin e pyetjes suaj, mbajtja e shamisë në SHBA dhe vendet sekulare shihet si diçka e padëmshme (e kam fjalën këtu për shaminë e grave, pra jo për shaminë e imponuar ndaj të miturve), kurse në Francë dhe në vendet laike ajo shihet si simbol i shtypjes së femrës. Idetë e Xhon Llokut, më pas etërit e Shtetit dhe Kushtetutës së SHBA-ve i kanë elaboruar në dokumentin famoz, të njohur si “Letrat e Federalistit”, që përfshijnë shpjegimet që i ndava këtu me ju.

Kosova është e modelit të shtetit laik. Plani Ahtisari, ndërkaq, ka qenë i modelit sekular sepse ka sanksionuar që shteti i Kosovës nuk mund të ketë religjion zyrtar. Ky dokument, siç dihet, më nuk është në fuqi formalisht. Në nenin 8 të Kushtetutës së Kosovës është futur shprehja “shtet laik”, që nuk ka ekzistuar në Planin Ahtisari. Dallimi në mes “nuk mund të ekzistojë një fe zyrtare” dhe “shtet laik” është i madh. Nëse thuhet se Kosova nuk do të ketë fe zyrtare, siç e bënte Ahtisari, atëherë shteti është më i kufizuar në veprim aktiv në çështjet fetare, kurse situata paraqitet krejt ndryshe te cilësimi i Kosovës si shtet laik. Përveç kësaj, neni 8 i Kushtetutës së Kosovës bën definimin e Kosovës si një shtet laik dhe laiciteti nuk është më thjesht një zgjidhje politike e momentit, e varur nga raporti momental i forcave politike, por është e mishëruar në vetë natyrën e shtetësisë së Kosovës. Plani Ahtisari nuk ka provuar të definojë Kosovën në terma sekularë, por vetëm ka dhënë parametrat bazikë të një shteti minimal në çështjet e fesë dhe besimit. Kushtetuta prevalon, jo Plani Ahtisari e as mbështetja eventuale e miqve tanë që kanë orientime sekulare në kushtetutat e shteteve të tyre

A jeni te habitur që një kërkesë në Facebook, nuk e dimë sa është numri i atyre që lobuan, arriti të imponohet si temë sa të shprehet Kryeministri për të?

Hasani: Aspak! Kjo është fushatë, siç e thashë, dhe bazohet në linçime dhe poshtërime të tjerëve me qëllim të realizimit të synimeve të qarta politike, përkatësisht me qëllim të islamizimit gradual të aseteve institucionale të Republikës së Kosovës. Pas kësaj fushate, do të pasojë kërkesa e të njëjtëve për futjen e mësimit të Kuranit nëpër shkolla. Në ndërkohë që kërkesa për shami bazohet në “mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”, kërkesa për mësim të Kuranit do të arsyetohet me të drejtën për mësimin e fesë, duke nënkuptuar këtu me fe vetëm Islamin dhe atë ekskluzivisht Islamin Suni të versionit të tij më radikal – shkollës Hanbali vehabisto-selafiste. Kjo rrugë është ndjekur në disa vende të tjera në Ballkan, këta vetëm po zbatojnë recetën e vjetër.

Kurti deklaroi se qëndrimi i tij është se mund të lejohet shamia mbi moshën 16 vjeçare. A po i nënshtrohet këtij presioni publik që po i bëhet apo kjo është edhe një populizëm i tij dhe mirëmbajtjen e elektoratit të tij?

Hasani: Udhëzimi administrativ për të cilin diskutohet nuk bën fjalë fare për shami, por për kodin e veshjes së fëmijëve të mitur, të drejtat e të cilëve mbrohen me Kushtetutën e Kosovës, ligjet e saj dhe me dokumente ndërkombëtare specifike, dokumente që, sipas nenit 22 të Kushtetutës, janë pjesë e pandarë e rendit kushtetues kosovar. Në asnjërën prej këtyre akteve juridike, vendore dhe ndërkombëtare, nuk njihet e drejta e fëmijëve për të predikuar fe dhe edukim fetar nëpër shkollat publike, për të manifestuar ndjenjat fetare dhe ndjenjat tjera sipas kërkesës së prindërve apo kujdestarëve të tjerë të tyre ligjorë. Asnjë normë kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare nuk thotë se fëmijët kanë të drejtë që të manifestojnë bindjet e tyre fetare dhe bindjet tjera sipas porosive të prindërve të tyre apo kujdestarëve të tjerë ligjorë.

Në asnjë mënyrë nuk mund të caktojë moshën e pjekurisë kryeministri i një vendi, as profilin psikologjik të personave të mitur. Në shtetet laike, martesa në moshë të mitur përbën përjashtim të rrallë, që përcakton ligji sipas autorizimit kushtetues. Asnjëherë kjo nuk mund të vendoset nga ekzekutivi.

Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar një rast për shaminë kur asaj i ishte drejtuar një 19 vjeçare. A e ka shteruar si çështje Kushtetuesja këtë temë, apo mund të kthehet përsëri aty nëse MASHT shfuqizon urdhëresën?

Hasani: Gjykata ka vendosur disa raste lidhur me parimin e laicitetit. Njëri ndër to është ai për shaminë, ku ajo ka thënë se rasti është i papranueshëm për shkaqe procedurale. Vendimi ka qenë unanim. Në arsyetimin e këtij vendimi, që ne e quajmë “obiter dicta”, megjithatë, Gjykata ka shprehur mendimin e saj lidhur me orientimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës, përkatësisht lidhur me laicitetin shtetëror. Në atë arsyetim është thënë se, në një rast hipotetik në të ardhmen, ajo do të vendoste që bartja e shamisë nëpër shkolla parauniversitare publike bie ndesh me Kushtetutën dhe parimin e saj bazë mbi të cilin ndërtohet shteti i Kosovës, përkatësisht në kundërshtim me laicitetin. Me këtë ka treguar se kjo cilësi e fundit, pra laiciteti, është i mishëruar në shtetësinë e Kosovës. Këtë orientim, Gjykata më pastaj më 2012 e shpërfaqur edhe në dy vendime të tjera që kanë pasur të bëjnë me kushtetutshëmrinë e Ligjit për Hoçën e Madhe  dhe Ligjit për Qendrën historike të Prizrenit në vitin 2012. Edhe këto vendime kanë qenë unanime. Nga kjo rrjedh se vendi ynë ka standarde dhe tregues të qartë të laicitetit, që janë stabilë dhe nuk mund të prishen me ndryshim të akteve nënligjore. Për të ndryshuar laicitetin duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës.

Nëse analizohen me kujdes vendimet që i zura në gojë, atëherë qartë shihet se të drejtat dhe liritë fetare janë relative, jo absolute, përkatësisht se ato mund të kufizohen nëse plotësohen disa kushte të përcaktuara qartë me kushtetutë dhe ligj. Në rastin konkret, pra kur bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve, Kushtetuta kërkon që interesi më i mirë i fëmijëve të merret parasysh, pra të kufizohet e drejta e çdokujt tjetër për të përdorur fëmijët për arritjen e qëllimeve të propagandimit të fesë, shprehjes së ndjenjave fetare dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera përmes fëmijëve, që nuk i shkojnë natyrës dhe interesit më të mirë të fëmijëve. Se çfarë është interesi më i mirë i fëmijëve, në edukimin e tij në rend të parë, në një shtet laik përcaktohet nga organet e specializuara, që me kushtetutë e ligj kanë autorizime për mbrojtjen dhe përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe interesave të tyre në sferën e institucioneve publike. Këtë nuk mund të bëjnë sektorët dhe individët tjerë, as ekzekutivi e as ligjvënësi, sepse bëhet fjalë për të drejta kushtetuese që nuk mund

etërsohen, duke u bartur te të tjerët në mënyrë arbitrare dhe me presione nga rruga.

Që prej themelimit të shkollave në gjuhën shqipe, në themelin e tyre, është propaganduar esenca shqiptare, vlerat kombëtare, shamia a i përmbys këto?

Hasani: Pa asnjë diskutim që synimi përfundimtar i tyre është uzurpimi i aseteve institucionale të shtetit të Kosovës dhe përdorimi i tyre për transformimin kulturor të shoqërisë, me kuptim islamizimin e saj gradual, nga shkaku se çdo gjë nis me fëmijët. Indoktrinimi i tyre në bankat shkollore është parakusht për këtë dhe përbën një hap kolosal në drejtim të transformimit kulturor me bazë islamike të shoqërisë së Kosovës.

Si është e mundur që në Kosovë me një mijë probleme përfshirë edhe problemet në arsim, sistem dhe infrastrukturë të dobët një çështje si kjo bëhet prioritet?

Hasani: Nuk është kjo çështje e sotme! Kjo ka qenë dhe ngelet një çështje që herëdokurdo do të kërkojë një përgjigje më të qartë nga Kosova laike. Sa më shumë të shtyhet, më keq. Duhet të hapet debat civilizues, jo me terma metafizikë, por me terma profesionalë që ankorohet në Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe në standardin kushtetues të laicitetit, të cilit i takon vendi ynë.

Shumëkush kërkesën për shaminë sheh si agjendë të islamit politik që e përçon një pjesë e shoqërisë kosovare. A pajtoheni me këtë?

Hasani: Nëse analizohet si një strategji dhe teknikë veprimi, kjo që shohim nuk është asgjë e re: bëhet fjalë për taktikë dhe strategji të proveniencës së “Vëllazërisë Muslimane” me bazë të theksuar vehabisto-selafiste, si modeli më radikal i Islamit Suni të shkollës Hanbali (kryesisht).

Ka po ashtu vlerësime se Kurti ka një problem me fraksionin islamik brenda VV-së që për t’i qetësuar ata duhet të marrë vendim pro shamisë?

Hasani: Këtë rrethanë nuk mund ta di unë, sepse nuk jam i involvuar në mikro botën e partive politike. Mund të jetë ashtu! Por këtu nuk bëhet fjalë për islam vetëm në radhët e VV-së, por për Islam politik që propagandohet në Kuvend qe një kohë të gjatë, për agjenda nga më të ndryshmet.

Është spekulative, por thuhet po ashtu se me debatin për shaminë Kurti po përpiqet t’i mbulojë temat e vështira që i ka në dialog para vetës? A qëndron kjo?

Hasani: As për këtë nuk mund të them asgjë. Mund të jetë ashtu, mund të mos jetë!

Pyetja e fundit, dje MASHT në një komunikatë  për vitin e ri shkollor njoftoi “se do t’i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollor”. A mendoni se kjo tregon se Kurti është përcaktuar që MASHT ta shfuqizojë këtë urdhëresë administrative dhe nga shtatori t’i kemi edhe shamitë në shkolla?

Hasani: Edhe mund të shfuqizohet, mirëpo një gjë e tillë do të ishte jokushtetuese. Kjo sepse bie ndesh me parimin e laiciteit, që përbën shtyllën kryesore të qenësisë së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur, pa të cilën në nuk mund të jemi shtet. Aktet nënligjore nuk mund të prishin standardin kushtetues. Shteti duhet të kujdeset për interesat e fëmijëve, duke ua bërë me dije prindërve se mbajtja e uniformës fetare islamike në shkollat publike që paguhen me taksa edhe të kristianëve, ateistëve, deistëve, protestantëve dhe të tjerëve  është kundër parimit të laicitetit. Mosrepsektimi i detyrimit për shkollim të detyrueshëm parauniversitar të fëmijëve përbën shkelje të ligjit nga prindërit dhe dihet sanksioni për një gjë të tillë.

x