fbpx

Haradinaj propozon rezolutë për gjendjen në veri, kërcënon me “masa të tjera” nëse s’aprovohet

HomeLajmeKosovë

Haradinaj propozon rezolutë për gjendjen në veri, kërcënon me “masa të tjera” nëse s’aprovohet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka propozuar një rezolutë katërpikëshe të cilën do ta dërgojë në Kuvendin e Kosovës për votim. Nëse rezoluta nuk do të aprovohet, Haradinaj ka thënë se “do të shqyrtojmë masat e tjera”.

Përmes rezolutës, kjo parti kërkon që Qeveria ta shtyjë vendimin për targat, të fillohet diskutim për rikthimin e serbëve të larguar nga institucionet, të niset komunikim me të gjithë faktorët vendorë për daljen nga situata e krijuar dhe që të bëhet një samit në SHBA deri në arritjen e marrëveshjes me njohje reciproke Kosovë-Serbi.

Haradinaj ka thënë në konferencë për media se ka drejtuar një shkresë në Kuvend duke kërkuar me urgjencë mbajtjen e një seance me pikë të vetme, interpelancë me kryeministrin Albin Kurtin.

“Situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është ndër më të rëndat në këto 22 vjet. Serbia ka krijuar skenar të destabilizimit të Kosovës duke urdhëruar serbët t’i braktisin institucionet e Kosovës”, tha ai.

Rezoluta e propozuar:

1. Qeveria të marr vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshjen finale për njohje me Serbinë

2. Institucionet e Kosovës fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në institucionet e Kosovës

3. Qeveria të nisë komunikimin intensiv me faktorët relevantë në vend, përfshirë opozitën, si nevojë e daljes nga gjendja e krijuar

4. Të kërkohet një samit në SHBA, takim disaditorë deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje Kosovë-Serbi