fbpx
HomeLajmeKosovë

Haradinaj kthen 50 anëtarë të personelit diplomatik dhe konsullor për shërbim në MPJD

Nga tani e tutje të gjithë diplomatët e Kosovës që shërbejnë nëpër ambasada dhekonsullata në vende të ndryshme të botës, nuk do të mund të shërbejnë me shumë se një mandat pa u kthyer në Ministrinë e punëve të Jashtme dhe Diasporës për shërbim.

Këtë vendim e ka marrë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla.

Ajo ka realizuar konceptin e rotacionit të rregullt për gjithë personelin diplomatik, “Një në shërbim, një në Ministri”.

“Për herë të parë, pas 12 vitesh të funksionimit të shërbimit të jashtëm, në pajtim të plotë me dispozitat përkatëse ligjore, kemi realizuar caktimin në detyra në formë të rotacionit të rregullt për personelin diplomatik dhe konsullor, sipas konceptit “Një në Shërbim, një në Ministri”, ka thënë Haradinaj-Stublla, shkruan Insajderi.org.

Me këtë vendim, ajo do të kthej mbi 50 anëtarë të personelit diplomatik, duke përfshirë ambasadorë, konsujë, e personel tjetër.

“Për qëllimet e lartcekura, do të kthehen nga Misionet që të shërbejnë në Ministri, më shumë se 50 (pesëdhjetë) anëtarë të personelit diplomatik dhe konsullor, të cilët kanë përfunduar mandatin e rregullt 4 vjeçar dhe nga ata të cilët, për më shumë se tetë vite pa shkëputje nuk janë kthyer asnjëherë për të shërbyer në Ministri”, ka theksuar ajo.

Ajo ka thënë se caktimet në detyra specifike në misionet jashtë vendit, në nivelet e rangut përkatës janë bazuar në nevojat e shërbimit dhe gatishmërinë e secilit që të shërbejë në Ministri ose kudo jashtë vendit sipas nevojave të brendshme në zbatim te Rregullores për Shërbimin e Jashtëm.

“Mbi të njejtën bazë, të gjithë zyrtarëve me grada diplomatike apo konsullore, iu është dhënë mundësia të shprehin interesimin për të shërbyer jashtë shtetit në pozitat adekuate. Ky proces i rëndësishëm për shërbimin e jashtëm, është realizuar në transparencë të plotë, udhëhequr nga parimi i meritës dhe barazisë, bazuar në kualifikimin profesional të secilit diplomat të emëruar”, seklaroi ajo.

Po ashtu, ministrja Haradinaj-Stublla ka emëruar mbi 30 anëtarë të shëbimit të jashtë që të shërbejnë në Misionet e Republikës së Kosovës.

“Bazuar në kompetencat ligjore dhe rekomandimet e përcjella nga paneli i brendshëm për shprehje të interesit kam emëruar që të shërbejnë në Misionet e Republikës së Kosovës, më shumë se 30 (tridhjetë) anëtarë të shërbimit të jashtëm, nga të cilët, zyrtarë të cilëve për më shumë se 11 vite, nuk iu është dhënë mundësia për të shërbyer jashtë vendit, profesionistë me përvojë në fushat përkatëse, që do të ushtrojnë funksionet në çështjet diplomatike dhe konsullore, dhe nga të cilët kërkohet që të ushtrojnë me ndershmëri dhe korrektësi funksionet dhe detyrat e ngarkuara, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporë, aktet ndërkombëtare dhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës”, është shprehur ministrja Haradinaj-Stublla.

Ajo ka falënderuar të gjithë diplomatët që shkojnë në misione dhe ata që kthehen, duke besuar fuqishëm që të gjithë do t’i shërbejnë me nder Kosovës, dhe do e përfaqësojnë interesin e shtetit kudo që janë.

COMMENTS