Gruri, buka, nafta, peleti… a po zbriten çmimet! Ja çfarë po paralajmërohet për pranverë?!

2 minutes, 54 seconds Read

Viti 2022 u karakterizua me ngritje të lartë të çmimeve në të gjitha produktet.

Kjo rritje e çmimeve ishte e papërballueshme për shumë familje kosovare, sidomos kur çmimet “fluturuan” në produktet bazike ushqimore.

Inflacioni në muajin nëntor të 2022-tes shkoi në 11.6.

Lojë me çmime u vërejt edhe në prag të festave të fundvitit.

Por mbase fillimviti i 2023-tes po ngjallë shpresa se çmimet do të zbriten.

Çmimi për grurin ka nisur të bie, e më këtë dikush po bën thirrje që të zbritet edhe çmimi i bukës.

Kreu i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, tha për Front Online se gruri ka pësuar rënie diku 5-10%.

“Gruri ka pësuar një zbritje diku ne 5-10%, tash a presim një zbritje më të madhe nuk e di kjo varet prej tregjeve tjera. Mendoj se duhet me pasë edhe një zbritje tjetër që buka me fillu me zbrit. Nëse nuk ka ndonjë lëvizje tjetër të çmimeve edhe buka duhet me pësu rënie”, tha ai për Front Online.

Loja me çmime/ Në prag të dimrit shitej 700 €, sot 1 ton pelet kushton 400 €.

Ngritjes së çmimeve gjatë 2020-tes nuk i shpëtuan as produktet që përdorën për ngrohje.

Ngritja enorme e çmimit për 1 ton peleti arriti deri në 700 euro.

Kjo bëri që shumë qytetarë të gjejnë forma të tjera alternative për ngrohje për shkak të çmimit të lartë.

Por, tani po vërehet zbritje e dukshme edhe në pelet.

Front Online ka pyetur një kompani për çmimin e peletit.

Ata thanë se toni i peleti ka rënë në 400 euro.

“Një palet i ka 1 ton e 50 kg, është 420 euro paletën ose 400 tonin. Peleti u zbrit prej 550 eurove ka rënë në 400 euro”, thonë nga kjo kompani për Front Online.

Kryetari i naftëtarëve: Deri në fund të marsit do të ketë stabilizim të çmimeve në derivatet e naftës

Stabilizim të çmimeve do të ketë edhe në derivatet e naftës deri në mars.

Kështu thotë për Front Online kryenaftëtari kosovar, Fadil Berjani.

“Për momentin nafta është 1.43 euro, i benzinës është 1.30 cent, këto janë çmimet të cilat kanë qenë para festës dhe deri më sot, kemi që 10 ditë në mënyrë konstante kanë qenë çmimet, nuk ka pasë zbritje të mëdha ose rritje të mëdha. Pritet të ketë një zbritje të lehtë të çmimeve. Sipas organizatës prodhuese OPEC, kemi informata që deri në fund të marsit do të jetë një stabilizim i tregut më i fortë”, tha ai për Front Online.

Ekonomisti Raci: Duhet të rriten pagat, çmimet e papërballueshme për qytetarët

Por dikush është pesimist se do të ketë rënie të cmimëve.

Ekonomisti Imer Raci thotë për Front Online se zbritja e lehtë e çmimeve nuk i ndihmon qytetarët.

Ai thotë se e vetmja zgjedhje është rritja e pagave.

“Nuk besoj që këto produkte kanë më shënu rënie, e vetmja zgjidhje është rritja e nivelit të pagave për me qenë e përballueshme kostoja e çmimit të produkteve, nuk pres ndonjë rënie të madhe”, tha ai për Front Online.

Rritja e çmimeve ka nisur nga fundi i vitit 2021, si pasojë e çrregullimeve në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia.

Çmimet morën hov më të madh kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës.

Publikime te ngjashme