Gjukanoviq dhe Milatoviq do të përballen në rundin e dytë të zgjedhjeve për president të Malit të Zi më 2 prill

1 minute, 13 seconds Read

Sipas rezultateve preliminare për zgjedhjet për presidentin e Malit të Zi, në garën e balotazhit do të garojnë kreu aktual i shtetit dhe kandidati i DPS-së, Milo Gjukanoviq, si dhe Jakov Milatoviq, kandidati i lëvizjes Evropa Tani.

Kjo pasi që asnjëri nga shtatë kandidatët në garën për president nuk kanë arritur të fitojnë 50 për qind të votave.

Siç raportojnë mediat në Mal të Zi, përcjell Telegrafi, sipas rezultateve preliminare, Gjukanoviq ka fituar 35,3 për qind të votave ndërsa Milatoviq fitoi 28.9 për qind të votave.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale – të cilat u shpallën më 16 janar – do të mbahet më 2 prill.

Sipas mediave në Mal të Zi, fushata ishte kryesisht paqësore dhe temat kryesore gjatë fushatës ishin shteti dhe sovraniteti i tij, e ardhmja evropiane, por edhe ato ekonomike, ndaj u diskutua shpesh për pagat dhe pensionet.

Përveç Gjukanoviqit dhe Millatoviqit, në garë kanë qenë edhe: Andrija Mandiq, politikan pro-rus dhe pro-serb, Alleksa Beçiq, ish-kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve; Goran Danilloviq, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar; Draginja Vuksanoviq Stankoviq nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Radulloviq, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në mediat sociale.

Ndryshe, Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, ka rreth 625.000 banorë ndërsa të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 542.154 qytetarë./Telegrafi

Publikime te ngjashme