fbpx

Gjermania kërkon nga qeveria Kurti të tregojë vetëpërmbajtje për targat dhe të fus asociacionin në agjendë

HomeLajmeKosovë

Gjermania kërkon nga qeveria Kurti të tregojë vetëpërmbajtje për targat dhe të fus asociacionin në agjendë

Qeveria Federale e Gjermanisë i ka bërë thirrje Republikës së Kosovës që të tregojë vetëpërmbajtje në mosmarrëveshjen e saj për targat ilegale.

Sipas Reutersit në versionin gjerman, Qeveria Federale e Gjermanisë i bëri thirrje Republikës së Kosovës që të mos lejojë që mosmarrëveshja për targat me Serbinjë të përshkallëzojë situatën.

Në anën tjetër, kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, tha edhe sot se kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, kishte hequr dorë nga plani franko-gjerman. Por, duket se një gjë e tillë nuk qëndron bazuar në fjalët e Qeverisë së Gjermanisë që drejtohet nga Olaf Scholz.

Liberalizimi i vizave / Trekëndëshi i Weimerit: Çka thanë në të vërtetë Gjermania, Franca e Polonia për Kosovën?

Çka tha tjetër Gjermania?

“Është e rëndësishme të përdoret ky afat (prej 48 orësh) për të gjetur një zgjidhje të përhershme,” – tha mes tjerash një nga zëdhënësit e Qeverisë, Steffen Hebestreit.

Për më keq, ai kërkoi që të futej në agjendë edhe çështja e Asociacionit.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga çdo masë ekzekutive që ka të bëjë me ndërrimin e targave. Përveç kësaj, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të vihet në agjendë.” – vazhdoi ai.

Nacionale i ka dërguar pyetje po ashtu Qeverisë Federale të Gjermanisë për ta pyetur në lidhje me pretendimet e kryeministrit të Kosovës se Borrell ka hequr dorë nga normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe nga plani franko-gjerman.

Çka tha sot Kurti?

Kryeministri i Kosovës sot sërish denoncoi shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell për rolin e tij në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Kurtit, Borrell kishte hequr dorë nga propozimi që kishte pasur mbështetjen e Francës dhe të Gjermanisë. Reagimi i Gjermanisë është i rëndësishëm veçanërisht në këtë kontekst, pasi në një mënyrë përgënjeshtron pretendimet e kryeministrit të Kosovës.

“Tash ndodhemi ku ndodhemi sepse, pika e parë e kornizës së marrëveshjes praktikisht u braktis bashkë me propozimin (franko-gjerman)… A e mbani në mend se në gusht jemi marrë vesh për takime të rregullta mujore (me Vuçiqin). Kam pritur në shtator s’më kanë ftuar, kam pritur në tetor s’më kanë ftuar… Nëse Parisi Berlini e Brukseli me mbështetjen e Washingtonit sjellin një propozim, dhe dy muaj të mos ketë takim…” – u shpreh mes tjerash Kurti.

Kosova / Sulmohen diplomatët, thirrje për manifestime, konspiracione: A po kthehet Kosova në marsin 2020?
Duhet kujtuar se zëvendësi i tij, Besnik Bislimi, në këto momente është në Bruksel duke negociuar me shefin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviqin për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave. Ky takim po ndërmjetësohet nga Josep Borrell, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Zhgënjim mbi dështimin e negociatave të datës 21 nëntor, kanë shprehur deri tash shumë shtete partnere të Kosovës. Në anën tjetër, Josep Borrell, e kishte thënë në mënyrë eksplicite se do të njoftonte shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e saj për refuzimin e propozimit që e kishte bërë Kosova përmes kryeministrit Kurti.