fbpx

Gjermania, Franca dhe Polonia bëjnë thirrje për marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë – Serbi, kërkohet progres edhe për vizat

HomeLajmeKosovë

Gjermania, Franca dhe Polonia bëjnë thirrje për marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë – Serbi, kërkohet progres edhe për vizat

Gjermania, Franca dhe Polonia kërkojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për Kosovën nga dialogu Kosovë-Serbi. Ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë në kuadër të grupimit “Weimar Triangle” kanë kërkuar po ashtu progres në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe theksojmë nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të përparojnë në rrugët e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon. Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të ministrave të Jashtëm të këtyre vendeve.

Po ashtu, aty theksohet edhe mbështetja për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Franca, Gjermania dhe Polonia mirëpresin përparimin e arritur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të gatshëm të mbështesim proceset e reformave në rajon, ku përparimi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe në pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, është i një rëndësie të veçantë” thuhet aty.

Sa i përket Bosnjës, këto vende shprehen të shqetësuara me situatën

“Ne jemi të shqetësuar për krizën politike në Bosnje dhe Hercegovinë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të sigurojnë zgjedhje të drejta dhe të lira më 2 tetor 2022” thuhet në komunikatë.

x