fbpx

Gërvalla në New York kërkon që Kosova të jetë anëtare e “Kartës së Adriatikut”

HomeLajmeKosovë

Gërvalla në New York kërkon që Kosova të jetë anëtare e “Kartës së Adriatikut”

Kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë qëndrimit në Nju Jork, në margjina të sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, mori pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut “US-Adriatic Charter” (A5), temë kryesore e të cilit ishin sfidat lokale dhe globale të sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Ministrja Gërvalla-Schwarz, theksoi se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare me të drejta të plota e “Kartës së Adriatikut” dhe përshëndeti përkrahjen e shprehur gjatë takimit nga shumica e të pranishmëve për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon.

Gërvalla theksoi qëndrimin e palëkundur të Republikës së Kosovës ndaj agresionit ushtarak rus në Ukrainë, vendosmërinë për zbatimin e sanksioneve ekonomike dhe masave të tjera të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe format e tjera të solidaritetit me popullin e Ukrainës, duke vënë në pah edhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vendeve të Ballkanit në çështjet jetike për sigurinë e rajonit.

Mes tjerash ministrja Donika Gërvalla-Schwarz, BE-së i bëri thirrje që me më shumë vendosmëri të luftojë për vlerat dhe parimet, të cilat qëndrojnë në themelet e saj, vlera të cilat i ndan edhe shumica e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim të drejtuar nga Republika e Malit të Zi, krahas ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, morën pjesë ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Grliq Radman, ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Të pranishëm në takim ishin edhe këshilltari i Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, Derek Chollet, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe diplomatë nga Republika e Shqipërisë, Republika e Sllovenisë dhe nga Serbia.

x