fbpx

FSK-së i shtohen edhe 251 ushtarë të rinj

HomeLajmeKosovë

FSK-së i shtohen edhe 251 ushtarë të rinj

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, sot me ceremoni të veçantë u betuan dhe u certifikuan 251 ushtarët të rinj të FSK-së.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi, drejtori i Drejtorisë së Operacioneve, gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, inspektorja gjenerale e FSK-së, gjeneralmajor Irfete Spahiu,  ushtarakë ndërkombëtarë, si dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, oficerë të lartë të FSK-së, drejtues komunalë, familjarë, etj.

Në fjalën e tij drejtuar rekrutëve të rinj, ministri Mehaj, ka thënë se ëndrra e shumë gjeneratave është bërë realitet.

“Ne jemi të qëndrueshëm e të pathyeshëm si Adem Demaçi dhe jemi trima si Adem Jashari. Dy Adema na udhëheqin neve, njëri në aspektin politik, tjetri në aspektin ushtarak.  Të dy bashkë do të mbesin prijësit tanë të përjetshëm. Rruga drejtë suksesit është e pamundur pa aleatët tanë, pa ShBA-në dhe NATO-në, ne do të kultivojmë gjithmonë raporte të shëndosha, të ndërtuara mbi bazën e sinqeritetit dhe besimit reciprok, sepse mbi të gjitha besimi ndërton aleanca të pathyeshme. Për besimin, për besën jemi të njohur ndër shekuj si popull. Vizioni, misioni dhe amaneti ynë është anëtarësimi i Kosovës në NATO”,

ka thënë Mehaj, duke falënderuar familjarët e ushtarëve të rinj për edukimin e tyre, thuhet në një komunikatë për medie.

“Të dashur prindër, sidomos ju të dashura nëna, faleminderit që edukuat e rritet vajza dhe djem fisnikë. Për sa kohë që kultivojmë gjenerata të tilla, vendi ynë do të frymojë lirshëm”, ka thënë Mehaj, thuhet tutje në komunikatë.

Ndërsa  zëvendëskomandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, kolonel Mehmet Lladrovci, duke iu drejtuar ushtarëve, familjarëve dhe të pranishmëve, ka thënë se 251 ushtarët e rinj kanë kaluar me sukses të plotë stërvitjen ushtarake bazë.

Në ceremoni janë prezantuar edhe emrat e ushtarëve dhe instruktorëve më të dalluar përgjatë nëntë javëve të kursit përkatës.

COMMENTS

x