fbpx

Franca thotë se Kosova nuk është duke u trajtuar ndryshe nga shtetet tjera që e kanë fituar liberalizimin e vizave

HomeLajmeKosovë

Franca thotë se Kosova nuk është duke u trajtuar ndryshe nga shtetet tjera që e kanë fituar liberalizimin e vizave

Në një përgjigje për Gazetën Express një burim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ka thënë se sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Kosova nuk është duke u trajtuar ndryshe nga shtetet e tjera që kanë marrë liberalizimin e vizave kohëve të fundit dhe kanë specifikuar se diskutimet në Bruksel janë duke vazhduar.

“Kosova nuk trajtohet ndryshe nga vendet tjera që kanë përfituar kohët e fundit nga liberalizimi i vizave. Diskutimet po vazhdojnë në Bruksel”, ka thënë për Express një burim nga MPJ e Francës.

Gjithashtu ky burim nga “Quai d’Orsay” ka theksuar se në deklaratën e përbashkët me Gjermaninë dhe Poloninë është dhënë mbështetje për liberalizimin e vizave dhe njihet përpjekja e Republikës së Kosovës për liberalizim vizash.

Ky burim nga Parisi ka thënë se përmes komunikatës së lëshuar nga “Trëkëndëshi i Weimarit”, theksohet përkushtimi i Francës për Ballkanin Perëndimor i cili kohëve të fundit po tregohet edhe përmes mbështetjes për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë nga niveli më i lartë politik i Francës.

“Ministrat për Çështjet Evropiane të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë (Trekëndëshi i Weimarit) në shtator kanë bërë thirrje për progres sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky qëndrim mbështetës përbën një njohje të përpjekjeve të bëra nga Republika e Kosovës. Ai gjithashtu thekson përkushtimin e Francës në dhe për Ballkanin Perëndimor, i cili është materializuar për shembull në përpjekjet e suksesshme për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut ose, edhe më së fundi, në riafirmimin në nivelin më të lartë politik të mbështetjes së saj aktive për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Republikës të Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë për Express ky burim nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Pas takimit të fundit të Grupit Punues për viza ka pasur raportime në media se Franca e përkrahur nga disa shtete të tjera po e kushtëzon heqjen e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit ETIAS. Për këtë çështje presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar ambasadorin e Francës në Prishtinë, ku edhe ka kërkuar të mos ndërlidhet vendimi politik i shteteve anëtare me sistemin ETIAS.

Nga Komisioni Evropian ndërkohë kanë thënë se sistemi ETIAS pritet të funksionalizohet në nëntor 2023.