‘Forbes’: Shqipëria drejt legalizimit të kanabisit

HomeLajmeShqiperi

‘Forbes’: Shqipëria drejt legalizimit të kanabisit

Nisma e qeverisë shqiptare për të legalizuar kanabisin për qëllime mjekësore ka tërhequr vëmendjen edhe jashtë kufijve.

Në një artikull të gjatë të revistës së njohur amerikane ‘Forbes’ thuhet se edhe Shqipëria pritet t’u shtohet vendeve që e kanë hedhur tashmë këtë hap.

Në artikull theksohet që në nisje se kultivimi, prodhimi dhe tregtia do të jenë të destinuara vetëm për eksport.

“Forbes” citon edhe projektligjin e hedhur për konsultim publik sipas të cilit do të lejohet prodhimin e kanabisit mjekësor dhe kanabisit industrial për deri në 150 hektarë tokë duke filluar nga viti 2023.

Do të jetë Këshilli i Ministrave që do të japë licenca për prodhimin e kanabisit për 15 vjet me të drejtë rinovimi. Bizneset e kanabisit që duan të operojnë në sektorët e kanabisit mjekësor dhe industrial në Shqipëri duhet të tregojnë se kanë kapital mbi 86,000 Dollarë, të punësojnë të paktën 15 persona dhe të paguajnë një tarifë prej 1.5% të xhiros vjetore të kompanisë.

Në shkrimin e “Forbes” bëhet një përshkrim i gjatë për përballjen e qeverisë shqiptare me fenomenin e kultivimit të kanabisit, akuzat e opozitës për lidhje të eksponentëve të qeverisë me trafikun e drogës dhe raportet ndërkombëtare për këtë fenomen.

Forbes citon edhe këshillimin kombëtar ku mbi 308 mijë qytetarë votuan pro legalizimit të kanabisit mjekësor, 148 mijë ishin kundër dhe 51 mijë nuk dhanë asnjë mendim për këtë çështje, njofton tvklan.

COMMENTS

x