fbpx

Evropianët dalin nga salla kur përfaqësuesi rus nis fjalimin

HomeLajmeBota

Evropianët dalin nga salla kur përfaqësuesi rus nis fjalimin

Një numër përfaqësuesish evropianë kanë dalë nga dhoma në momentin që delegati rus ka nisur fjalimin e tij në konferencën e sivjetme të OKB-së për klimën në Egjipt, raporton “Sky News”.

Katër zyrtarë, një nga ta që mbante të veshur një kostum me ngjyra të kaltra e të verdha, ngjyra këto të flamurit ukrainas, dolën nga salla plenare të martën teksa Ruslan Edelgerievi doli në podium.

Më vonë, mbi 10 persona protestuan për pushtimin rus të Ukrainës në hyrje të një ngjarjeje të organizuar nga delegacioni rus në Sharm el-Sheikh.

Disa akuzuan panelistët se janë “kriminelë lufte”.

Moska është shmangur kryesisht nga vendet e tjera evropiane në forumet ndërkombëtare pas pushtimit të Ukrainës.

Edelgerievi tha se Rusia ishte e përkushtuar për të trajtuar ndryshimet klimatike, por kritikoi vendet që ai tha se po merrnin masa të njëanshme në shkelje të marrëveshjeve ekzistuese, pa dhënë detaje.

“Rusia ka paralajmëruar për pasojat negative të garës së ambicieve klimatike kur deklarimi i neutralitetit të karbonit u bë pa një strategji të duhur, burime dhe mbështetje financiare”, tha ai.

Rusia kundërshton ashpër planet e Bashkimit Evropian për të vendosur një taksë karboni mbi importet që do të dëmtonte eksportet e saj.