fbpx

Është gjetur gjuhë e përbashkët në Bruksel, deri të premten prezantohet zgjidhja

HomeLajmeKosovë

Është gjetur gjuhë e përbashkët në Bruksel, deri të premten prezantohet zgjidhja

Josep Borell tha se gjetja e zgjidhjes për çështjen e targave para datës 21 nëntor nuk ka alternativë dhe përtej deklarimit zotimi është jetësuar.

Albanian Post kupton përmes burimeve diplomatike se tashmë është arritur akord në parim për de-eskalim të situatës dhe më së largu të premten (18 nëntor) palët do të dalin për të treguar detajet, ose të paktën njoftimin zyrtar për dakordim.

AP kupton se pala kosovare ka pranuar që të spostojë vendimin për targat pas kërkesave të shumëhershme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por për këtë lëshim ka kërkuar një garanci nga partnerët.

Aktualisht po kërkohen modalitete se si do të mund të ktheheshin serbët e Kosovës në institucione, të cilat i lëshuan në mënyrë demonstrative, pasi nuk u pajtuan me shkallëzimin e vendimit për targa, që parashihte në faza qortime, gjoba dhe tabela provuese, për të gjithë ata që s’e kanë bërë kalimin nga tabelat ilegale me “KM” te ato të shtetit me “RKS”.

Problemi për rikthim nuk konsiston te ato struktura që janë administrative, si për shembull policët, gjyqtarët dhe nivele të tjera brenda administratës së shtetit.

Më specifike do të jetë gjetja e një zgjidhje për ata që kanë lëshuar postet politike, siç janë deputetët e Kosovës dhe kryetarët e katër komunave.

Largimi i tyre nga pozitat nënkupton djegje të mandateve, prandaj edhe Komisioni Qendror Zgjedhor i Kosovës mori vendim për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

Të martën e kaluar, KQZ, pranoi kërkesën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për emrat e personave në radhë për të zëvendësuar vendet e lira nga dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe.

Po ashtu, Osmani, pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike, ka bërë të ditur se kanë vendosur 18 dhjetorin si datë e zgjedhjeve për katër komunat në Veri.

Siç dihet, nga 5 nëntori, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë pa kryetarë.

Marrëveshja për De-eskalim

Albanian Post ka raportuar me 9 nëntor se nga ndërkombëtarët është ofruar një propozim me tri pika.

Propozimi është diskutuar, siç njoftoi edhe kryediplomati Josep Borell, edhe në Paris, në takimet e ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Pika e parë e propozimit ndërkombëtar për të dalur nga kriza aktuale ishte që “të dyja palët duhet ta konfirmojnë përkushtimin e tyre për planin Franko-gjerman dhe të dyja palët të kthehen në negociata”.

Në pikën dy bëhet një kërkesë eksplicite për qeverinë e Serbisë.

“Serbia pajtohet se kërkesa për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duhet të diskutohet vetëm përbrenda tërësisë së planit Franko-gjerman – pra, si pjesë e strukturës së përgjithshme të planit”, thuhet në propozimin ndërkombëtar në të cilin ka pasur qasje AP.

Pika e tretë është një tjetër kërkesë, por për Kosovën.

“Kosova pajtohet që të zbusë masat në raport me çështjen e targave”, pohon propozimi.

Synim i këtyre tri pikave në formë të kërkesave nga ndërkombëtarët është qetësimi i situatës në terren, kthimi i normalitetit dhe krijimi i mundësisë për vazhdim të dialogut në Bruksel.

“Kjo duhet të formojë bazën për rikthim në dialog dhe rikthimin gradual të serbëve në institucione”, pohohet në propozim.

Si erdhi deri te propozimi?

I gjithë problemi është tek Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova dëshiron që për Asociacionin të arrihet pajtim brenda marrëveshjes së përgjithshme, derisa Serbia refuzon të diskutojë për Asociacionin si pjesë e marrëveshjes, por e kërkon atë paraprakisht, mbështetur në marrëveshjen e vitit 2013.

“Unë mbase s’jam më i mençuri, por s’jam as idiot”, tha Vuçiç në Paris duke shtuar se nuk pranon të diskutojë për diçka që tashmë veç është arritur më parë.

Ky dualitet ka çuar edhe në bllokim të situatës në Veri, ku Kurti vendosi të zbatojë në mënyrë të sekuencuar vendimin për targat – qortim, gjobitje, tabela provuese.

Serbia e përdori këtë vendim si shkas për të bllokuar bisedimet, duke udhëzuar Listën Serbe që të lëshojë institucionet e Kosovës, çka nënkupton rrëzim të tërësishëm të gjithë procesit dialogues në Bruksel dhe praktikisht zhbërje të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri në këtë fazë.

Frika e kësaj lëvizje të parashikuar nga Serbia, kishte obliguar komunitetin ndërkombëtar që të kërkonte nga Kurti shtyrje të vendimit, përkundër se publikisht do ta pranonin se Kosova ka të drejtë në zbatim.

AP ka raportuar gjithashtu se Kurti kishte pranuar shtyrjen pas kërkesave të disahershme të ndërkombëtarëve, veçanërisht amerikanëve.

Madje kishte pasur dakordësim që shtyrja të bëhej në formë të qortimeve verbale nga Policia e Kosovës për përdoruesit e makinave me tabela ilegale.

Gjithçka dukej në rregull, deri ditën kur Kurti do shpallte vendimin për shtyrje të zbatimit përmes sekuencimit.

Ndërkombëtarët ishin befasuar nga deklarimi i kryeministrit të Kosovës, sepse shtyrja po ndodhte, por jo siç ishte dakordimi paraprak.

Brenda vendimit për shkallëzim ishte futur edhe një pikë për të cilën nuk kishin dijeni ndërkombëtarët – gjoba.

Albanian Post kupton se sekuenca e gjobës ishte ideuar, propozuar dhe në fund bërë pjesë e vendimit, nga zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Propozimin e vartësit të tij e kishte pranuar Kurti, me idenë se kështu do argumentohej më mirë në publik linja se qeveria nuk po heq dorë nga zbatimi i ligjit, vetëm se po e kategorizon vendimin në tri faza të ndryshme.

I papritshëm ishte gjithashtu afati i shtyrjes. Derisa ishin kërkuar 10 muaj, shtyrja deri me 21 prill përbënte diçka më shumë se gjashtë muaj.

Befasia e ndërkombëtarëve me vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe mos njoftimin për ndryshimet çoi edhe në reagimet e ashpra të Departamentit Amerikan të shtetit përmes një komunikate për media, ku thuhej se “SHBA-të janë të shqetësuara dhe të brengosura me vendimin e Qeverisë së Kosovës”.

Komunikatë që u përcoll nga Antony Blinken, sekretar amerikan i shtetit dhe më pas u ri-konfirmua edhe nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Edward “Ned” Price.