Escobar thotë se asociacionit s’mund t’i ikë asnjë parti a individ në menyrë të njëanshme

1 minute, 21 seconds Read

I dërguar special i SHBA-së, Gabriel Escobar, ka komentuar deklaratën e tij në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ku rreth një muaj më parë tha se nëse ai nuk formohet nga qeveria, atëherë do të gjenden partnerë alternativë.

Sipas tij, Asociacionit nuk mund t’i ikë një parti a individ njëanshëm, teksa shtoi se i njëjti e obligon edhe Kosovën edhe Serbinë, por edhe Bashkimin Evropian.

“Asociacioni është një obligim i detyrueshëm ligjor ndërkombëtar. Ai e obligon Kosovën, obligon Serbinë dhe e obligon BE-në që e ka udhëhequr, dhe pse ne e kemi përkrahur, është përkushtim i yni. Andaj, një parti dhe një individ nuk mund të ikë nga ai njëanshëm”, ka thënë Escobar.

Po ashtu, Escobar potencoi se çështjen e formimit të asociacionit po e diskutojnë edhe me anëtarë të shoqërisë civile, grupe multietnike e organizata hulumtuese.

“Po dëgjojmë nga anëtarë shumë konstruktivë të shoqërisë civile, grupe multietnike që duan që kjo të ndodhë, nga organizata hulumtuese që kanë punuar shumë për të parë se si mund të funksionojë kjo që nuk e rrezikon funksionalitetin e Kosovës ose bie ndesh me Kushtetutën apo me ligjet e saj. Këta janë partnerët nga të cilët do të filloj të kërkoj që të na ndihmojnë t’i krijojmë disa ide dhe t’i lehtësojnë disa nga frikësimet që njerëzit mund t’i kenë për zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, është shprehur Escobar.

Publikime te ngjashme