I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndrojnë për një vizitë dy ditore në Serbi.
Dyshja ndërkombëtare kanë takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilit i bartën mesazhin se BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë të njëjtin vizion për procesin e dialogut dhe se përpjekjet e tyre synojnë të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Escobar dhe Lajçak theksuan mbështetjen e tyre për vazhdimin e dialogut konstruktiv ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar se është thelbësore që të dyja palët të përmbushin të gjitha detyrimet bazuar në dialog, raporton N1.
Ndërkohë, presidenti serb ka deklaruar se vendi i tij po i përmbush detyrimet që po dalin prej dialogut dhe po përballet me provokime nga Prishtina.
Vuçiq falënderoi Escobarin dhe Lajçakun për angazhimin e tyre në vazhdimin e dialogut, duke theksuar se Serbia respekton përpjekjet e tyre për stabilizimin e rajonit dhe se të dy zyrtarët japin një kontribut të madh me qasjen e tyre pragmatike dhe angazhimin për të siguruar një atmosferë neutraliteti në procesin e dialogut.
Ndryshe, Escobar dhe Lajçak kanë qëndruar edhe në Kosovë, ku janë takuar me liderët shtetëror dhe partitë opozitare./Telegrafi