fbpx

Escobar: Berisha i korruptuar, institucionet shqiptare ta shqyrtojnë

HomeLajmeShqiperi

Escobar: Berisha i korruptuar, institucionet shqiptare ta shqyrtojnë

“Vendimi për ta përcaktuar Sali Berishën si një person non grata ishte një vendim institucional, jo politik as individual. Unë do t’u bëja thirrje institucioneve në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë”.

Kështu ka deklaruar, Gabriel Escobar, Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”.

Ai ka theksuar se, vendimi u mor pas provave të gjetura të korrupsionit kryer nga Berisha.

Por Escobar tha se SHBA-të ende e kanë një partnere të mirë Partinë Demokratike dhe që duan që ajo të jetë një kontribuese e fortë dhe e rëndësishëm i stabilitetit politik në Shqipëri.

“Unë do t’u bëja thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike të mendojnë për imazhin që përcjellin, nëse do të kishin në krye njerëz, që janë përcaktuar nga Sekretari i Shtetit për korrupsion”.

Në intervistën e tij, Escobar u ndal po ashtu edhe te dialogu strategjik midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare.

Në takimin mes dy qeverive marrin pjesë përfaqësues nga një sërë institucionesh qeveritare.

Ai e ka cilësuar këtë takim të si më të rëndësishmin mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të Shqipërisë në historinë moderne.

“Ne do të kemi përfaqësues nga Departamenti i Shtetit, Departamenti i Mbrojtjes, ai i Tregtisë, Korporata Financiare për Zhvillimin Ndërkombëtar, si dhe agjenci të tjera qeveritare për të gjetur rrugë për të thelluar bashkëpunimin strategjik”.

Sipas tij, në vitet e fundit Shqipëria është bërë një partner shumë i besueshëm për Shtetet e Bashkuara. Kjo pasi, ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe atë në Evropë.

“Tani që Shqipëria është anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, vendi është bërë një faktor stabiliteti global. Pra është e rëndësishme që të vazhdojmë të bashkërendojmë qëndrimet tona”.

Po ashtu, për zëvendëssekretarin amerikan, Shqipëria po kthehet në një qendër të rëndësishme energjetike.

Kjo, në një kohë kur Evropa po ndeshet me sfida në sektorin energjetik.

“Ne duam të gjejmë rrugë bashkëpunimi me Shqipërinë për të ndihmuar në zbutjen e këtyre problemeve. Kemi bindjen se mund të gjejmë forma dhe rrugë ku Amerika mund të ndihmojë për të investuar në infrastrukturën energjetike në Shqipëri për të realizuar këtë synim”.

Berisha i përgjigjet Escobar: Nxirrni një fakt për shpalljen “non grata” - Lapsi.al

Nuk munguan as këshillat për Qeverinë shqiptare.

Escobar tha se ka disa shqetësime për rekomandimet e FMN-së dhe Bankës Botërore sa i takon propozimit qeveritar për amnistinë fiskale.

“Edhe ne kemi disa shqetësime. I kemi diskutuar ato me qeverinë e Shqipërisë. Do t’i bëja thirrje qeverisë t’i dëgjojë këto zëra dhe ta përshtaste qasjen ndaj amnistisë fiskale që të jetë në përputhje me standardet globale dhe me kërkesat e BE-së”.

Escobar u pyet gjithashtu për komentet e kryeministrit të vendit, Edi Rama, i cili pa përmendur emra tha se “disa ambasadorë të huaj ndihen në gjykatat tona si në shtëpitë e tyre dhe kanë luksin të ndajnë publikisht pëlqimin, ose mospëlqimin e tyre me vendimet e gjykatave”.

Përgjigjja e tij ishte tepër e qartë: ambasadorja amerikane, Yuri Kim, po bën shumë për Shqipërinë.

“Ajo është personi kryesor për marrëdhëniet dypalëshe. Gjithçka që ajo bën, është në bashkëpunim shumë të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Këto nuk janë qëndrime individuale, janë qëndrime institucionale”./Albanianpost.com