fbpx

Edhe dy javë afat për rikthim të tabelave në RKS

HomeLajmeKosovë

Edhe dy javë afat për rikthim të tabelave në RKS

Serbët e Kosovës, kanë vetëm edhe dy javë kohë për ndërrimin e targave nga ato ilegale të Serbisë në ato “RKS”. Por, njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se është e nevojshme që Qeveria e vendit të zgjasë afatin pas 31 tetorit, për shkak se serbëve u duhet më shumë kohë të binden. Edhe ndërkombëtarët kanë kërkuar që afati të zgjatet.

Sot dy javë, më 31 tetor, përfundon afati për ndërrimin e targave nga ato ilegale të Serbisë në ato “RKS”. Por, serbet e Kosovës deri më tani kanë treguar pak interesim për ndërrimin e tyre. Njohës të rrethanave politike në vend vlerësojnë se Qeveria e Kosovës duhet të shqyrtojë mundësinë për shtyrje të këtij afati. Arben Fetoshi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë për Radio Kosovën se Qeveria e Kosovës, në koordinim të plotë edhe me ndërkombëtarët, do të duhej të bënte një shtyrje të afatit për shkak edhe të evitimit të ndonjë eskalimi të situatës në veri të vendit.

“Besoj që Qeveria duhet të koordinohet maksimalisht më partnerët ndërkombëtarë e në veçanti me SHBA-n, dhe natyrisht një shtyrje e afatit, besoj që do t’i kontribuonte evitimit të ndonjë rreziku të përshkallëzimit të situatës në veri të vendit siç e kemi parë me 31 korrik të këtij viti”, ka deklaruar Fetoshi.

Analisti Artan Muhaxheri, për Radio Kosovën ka thënë se duke pasur parasysh që konvertimi i targave është çështje delikate, për shkak se ka të bëjë me identitetin shtetëror dhe atë etnik, nevojitet më shumë kohë.

“Çështja e targave është mjaft delikate, për shkak se ka të bëjë me identitetin shtetëror dhe atë etnik, prandaj nevojitet më shumë kohë që të këtë bindje më të madhe të qytetarëve serbë që ta bëjnë konvertimin e targave”, ka thënë Muhaxhiri.

Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, duke e vlerësuar të drejtë kërkesën e Kosovës për kthim të të gjitha automjeteve në qarkullim në targat “RKS”, ka thënë se afati për konvertimin e targave duhet të shtyhet. Po ashtu, shefi i BE-së në Prishtinë, Tomas Szyong, ka deklaruar se është e nevojshme që serbët e Kosovës të kenë më shumë kohë për zbatimin e vendimit për targat.