Connect with us

Kosovë

E sapoaderuara në LDK, në zgjedhjet e fundit kishte marr vetëm 239 vota

Publikuar

me

Angazhimin në parti politike, Shqipe Pantina e nisi në vitin 2014. Më 14 janar të të njëjtit vit, Pantina nga organizata joqeveritare, Demokracia në Veprim, iu bashkua Lëvizjes Vetëvendosje. Për katër vite, ajo përkrahu kauzat e Vetëvendosjes. Ishte edhe deputete e Kuvendit të Kosovës.

E pakënaqur me frymën brenda partisë, Pantina në vitin 2018 ndau rrugët me Vetëvendosjen. Ajo iu bashkua grupit që ishin të zhgënjyer me udhëheqjen e liderit, Albin Kurti.

Duke mos hequr dorë nga politika, Pantina me 11 të tjerë që u larguan nga VV, iu bashkua Partisë Socialdemokrate në krye me Shpend Ahmetin. Drejtimin e PSD-së, Ahmeti e trashëgoi nga Kaqusha Jashari.

I zhgënjyer me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2019, ku nuk patën mundësi të fitonin asnjë mandat në Kuvend, Ahmeti hoqi dorë nga PSD duke ia lënë postin drejtues Dardan Molliqajt.

E dëshpëruar rezultoi të ishte edhe Shqipe Pantina. Si kandidate për deputete, ajo mbante numrin 6 në listën e përbashkët AAK-PSD. Në vendlindjen e saj në Klinë, Pantina nuk arriti të merrte as 300 vota. Ajo mori gjithsej 239 sosh.

Si shumica e ish-bashkëparitakve të saj, Shqipe Pantina u largua nga PSD duke kaluar në rolin e analistes politike, shkruan Insajderi.

Edhe pse e larguar qysh moti nga Vetëvendosje, Pantina katër vite më vonë u dënua për shkeljet që kishte bërë. Ajo kishte tentuar të gjuante gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, në kohën kur Hashim Thaçi po zgjidhej president. Bombola i kishte mbetur e pashpërthyer. Pantina ishte kapur nga sigurimi.

Në shtatorin e vitit 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykim dënues ndaj Shqipe Pantinës me 1 vit burgim me kusht për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Pantina u dënua me burgim prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohej, nëse e njëjta nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën verifikuese prej 2 viteve.

Në fjalën përfundimtare ajo deklaroi se veprimi ka qenë për interes shtetëror, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Viti 2023 për Pantinën duket se nisi mbarë. Ajo iu kthye skenës politike.

Të hënën e dytë të muajit janar, Pantina njoftoi se iu ka bashkua Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo u shpreh se angazhimi i saj në politikë çdoherë ka pas synim gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballet vendi, prandaj e ka pranuar ftesën nga kryetari Lumir Abdixhiku dhe ka vendosur t’i kthehet sërish politikës.

Se a do të shkëlqejë Pantina në partinë e “reformuar” mbetët të shihet në vazhdim.

Reklama