fbpx

Dyshohet se i dehur dhunoi një vajzë në motel, paraburgim për të pandehurin në Ferizaj

HomeLajmeKosovë

Dyshohet se i dehur dhunoi një vajzë në motel, paraburgim për të pandehurin në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet F.E., pasi dyshohet për veprën penale dhunimi.

Ngjarja ka ndodhur më 16 shtator të këtij viti, kur i pandehuri dyshohet se e kishte marrë me veturë një vajzë me inicialet B.G., nga stacioni i autobusëve në Suharekë dhe duke e kërcënuar e kishte dërguar në Ferizaj.

Të njëjtit thuhet se fillimisht kishin hyrë në një lokal, ku me dashje me anë të alkoolit i pandehuri ishte dehur dhe më pas të dëmtuarën e kishte dërguar në një motel në magjistralen Ferizaj-Prishtinë.

Aty i pandehuri kishte përdorur dhunë fizike dhe pa dëshirën e saj kishte kryer marrëdhënie seksuale.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar, se i pandehuri më datë 16 shtator 2022, nga stacioni i autobusëve në Suharekë, nën kërcënim merr me veturë të dëmtuarën B.G., dhe sjell në Ferizaj, me ç ‘rast së pari hyjnë në një lokal ku me dashje me anë të alkoolit shkakton dehjen, pastaj të njëjtën e dërgon në një motel në magjistrale Ferizaj – Prishtinë dhe aty përdorë dhunë fizike si dhe pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj”.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

x