fbpx

Dorëhiqen edhe 10 prokurorë serb të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës

HomeLajmeKosovë

Dorëhiqen edhe 10 prokurorë serb të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës

Zyrtarët serbë kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme dorëheqjet nga institucionet e Kosovës.

Përveç deputetëve të Listës Serbe që dorëzuan mandatet në Kuvendin e Kosovës, policëve të cilët dorëzuan armët dhe uniformat, dorëheqje kanë dhënë edhe dhjetë prokurorë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Kështu ka njoftuar Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një njoftimi për media.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës sot është njoftuar me ofrimin e dorëheqjes së 10 prokurorëve të komunitetit serb të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës. Po ashtu, dorëheqje kanë ofruar edhe stafi administrativ nga komuniteti serb i kësaj prokurorie”, thuhet në njoftim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, lidhur me situatën e krijuar pritet të mbajë takim, ku do të njoftojë me kohë për veprimet që do të merren.​Të shtunën më 5 nëntor 2022, Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.