fbpx

DOKUMENTE| Qeveria Kurti ia jep tenderin për shenjëzimet kufitare mbrojtësit kryesor të demarkacionit me Malin e Zi

HomeLajmeKosovë

DOKUMENTE| Qeveria Kurti ia jep tenderin për shenjëzimet kufitare mbrojtësit kryesor të demarkacionit me Malin e Zi

Demarkimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi ishte kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje. Por, Ministria e Mjedisit tani e ka filluar punën për shenjëzimin e kufirit të “Parkut Kombëtar Sharri dhe Bjeshkët e Nemuna”, ku këto të fundit përkufizojnë edhe kufirin me Malin e Zi. E për këtë punë, ministria tashmë ia ka dhënë një tender në vlerë prej 40 mijë euro kompanisë së njërit prej mbrojtësve më të mëdhenj të demarkacionit me Malin e Zi. Barrën për t’i vendosur shenjat kufitare e ka marrë eksperti Tomor Çela, me kompaninë e tij “Data Gisconsulting”.

Eksperti dhe ish-zëdhënësi i Komisionit Shtetëror për Matjen e Territorit, Tomor Çela, përsëri do të dal në male.

Këtë herë, Çela me kompaninë e tij do të bëjnë shenjëzimin e kufirit të “Parkut Kombëtar Sharri dhe Bjeshkët e Nemuna”, që njëherësh këto të fundit ndajnë edhe kufirin e Kosovës me Malin e Zi.

Besimin për këtë punë, Çelës ia ka dhënë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një tenderi në vlerë të 40 mijë eurove, shkruan Demokracia.com.

Kontrata mes kompanisë fituese “Data Gisconsulting” dhe ministrisë tashmë është nënshkruar sipas planifikimeve në njoftimin publik, derisa në garë për ketë tender kanë qenë katër kompani.

“Shenjëzimi i kufirit të “Parkut Kombëtar Sharri dhe Bjeshkët e Nemuna”. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor Vlera e përgjithshme e kontratës 39 810,84 euro. Data e dhënies së kontratës 03.08.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 05.08.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 4. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata” DATA GISCONSULTING ” SH.P.K.”, thuhet në njoftimin e shpallur, shkruan Demokracia.com.

Në dosjen e tenderit është treguar se shënimi i kufirit të PK “Sharri” dhe Bjeshkët e Nemuna bëhet me vendosjen e shenjave me ngjyrë të kuqe kualitative në formë të 3 vijave horizontale, me gjatësi prej 15 cm dhe gjerësi prej 1.5 cm dhe distanca midis vijave është 2 cm.

“Shenjat vendosen në elementet specifike dhe të qëndrueshme të natyrës, siç janë trungjet, gurët dhe shkëmbinjtë, ndërsa kur mungojnë këto elemente, shenjat vendosen në hunjtë e drurit ose pllakat e gurit që duhet të nguliten në tokë. Distanca midis dy shenjave në terren është prej 100 deri 300 m, varësisht nga konfiguracioni i terrenit, shikueshmëria dhe prania e elementeve natyrore për vendosjen e shenjave”.

Kompania fituese duhet të garantojë që ngjyra të mos shlyhet së paku deri në katër vite.

Në bazë të projektit planifikohet vendosja e 3 llojeve të tabelave, shkruan Demokracia.com.

“Tabela informative nga metali, xham pvc me kornize te drurit me dimensionet 1m x 1. 5m dhe mbishkrimin: Mirë se vini në Parkun Kombëtar “Sharri” ose Bjeshkët e Nemuna. Këto tabela duhet të vendosen në pikat kryesore hyrëse në territorin e dy parqeve kombëtare dhe duhet të përgatiten, dizajnohen hartat në të dy anët (me përmasa sipas dimensioneve të tabelave) me kufijtë e parqeve kombëtare, përshkrim i shkurtër i vlerave natyrore të asaj zone si dhe ndonjë foto, logo, etj. Tabela informative-ndaluese nga druri me dimensionet 1m x 1.5 m dhe me shenjat dhe mbishkrimin në 3 gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht)”.

Sipas Ligjit nr. 04/L-087, sipërfaqja e territorit të PK Sharri është 53.469 ha, e cila shtrihet në komunat Prizren, Dragash, Shtërpcë, Suharekë dhe Kaçanik. Ndërsa, territori i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” përfshin sipërfaqe prej 62.488 ha dhe shtrihet në territorin e komunave Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë dhe Istog, në kufijtë e përcaktuar me Ligjin Nr. 04/L – 086.

Matjet e territorit të Kosovës ishin bërë gjatë vitit 2017, pas debatit të madh që kishte kapluar vendin rreth demarkimit të kufirit me Malin e Zi dhe ashpërsimit të veprimeve të opozitës.

Këto matje të territorit ishin iniciuar me kërkesë të ish-kryeministrit Isa Mustafa, pas akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe opozitës, por edhe disa deputetëve në pushtet, se me marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.

Formimin dhe punën e këtij komisioni e kishin kundërshtuar partitë politike opozitare dhe nuk kishin dashur të marrin pjesë në këtë komision, duke thënë se “nuk dëshirojnë të legjitimojmë veprime dhe marrëveshje tejet të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, siç është edhe Komisioni për matjen e territorit”.

(Tomor Çela)

Në këtë komision, si zëdhënës dhe si ekspert ishte angazhuar edhe Tomor Çela, i cili çdoherë ka mbrojtur versionin e demarkacionit të komisionit që udhëhiqej nga Murat Meha.

Kompania “Data Gisconsulting” e regjistruar në vitin 2011 në emrin e Tomor Çelës, https://arbk.rks-gov.net/page.aspx?id=1,38,117236, asokohe ishte shpërblyer nga ASK-ja e Zyrës së Kryeministrit edhe me tenderin “Intervistimi dhe grumbullimi i të dhënave statistikore në terren”. Për këtë tender dyshime kishte ngritur edhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP), duke konstatuar se ASK kishte nënshkruar kontratë kornizë për tre vite në vlerë 497,168€, pa dërguar letër për shpjegim te përfituesi i kontratës “Intervistimi dhe grumbullimi i të dhënave statistikore në teren”, edhe pse kishte një artikull më çmim jo-normalisht të ulët dhe mjaft të rëndësishëm”./Demokracia.com/

x