fbpx

DOKUMENT| Gërvalla e humb betejën për herë të tretë, Gjykata e urdhëron ta kthejë Viskont Jakupin në Londër dhe t’ia kompensojë afër 25 mijë euro

HomeLajmeKosovë

DOKUMENT| Gërvalla e humb betejën për herë të tretë, Gjykata e urdhëron ta kthejë Viskont Jakupin në Londër dhe t’ia kompensojë afër 25 mijë euro

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar vendimin e KPMSHCK-së për diplomatin Viskont Jakupi dhe e ka urdhëruar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që ta kthej Jakupin në Misionin Diplomatik në Londër.

Jakupi, i cili është kthyer nga misioni diplomatik me një vendim të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka triumfuar edhe një herë përballë paligjshmërisë së vendimit të MPJD-së.

Pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dy herë radhazi e kishte hedhur poshtë vendimin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, për kthimin e Viskont Jakupit nga misioni diplomatik në Londër, tani edhe Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar këtë vendim, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu, gjykata e ka urdhëruar ministrinë e Gërvallës që t’ia kompensojë Jakupit të gjitha pagat nga data 11.11.2021 deri në përmbushjen definitive.

“Aprovohet propozimi për përmbarim i kreditorit të përmbarimit Viskont Jakupi, caktohet përmbarimi kundër drejtorit të përmbarimit Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bazë të dokumentit përmbarues. Vendimi A. nr. 117/2022 i datës 12.04.2022 i nxjerr nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovë. Urdhërohet debitori i përmbarimit ta kthejë në punë kreditorin e përmbarimit në Misionin Diplomatik në Londër/Mbretëri të Bashkuar, i caktuar sipas vendimit Nr. Ref. 293/2021 i datës 31. 08.2021 i nxjerr nga debitori dhe ta kompensojë kreditorin për diferencën në pagë, në mënyrë retroaktive nga data 11.11.2021, dita e kthimit të kreditorit nga mision e deri në përmbushjen definitive dhe shpenzimet e kësaj procedure në shumë prej 186 euro, të gjitha këto afat prej 7 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi, nën kërcënimin e zbatimit të neneve 15 dhe 16 të Ligjit të Procedurës Përmbarimore”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelores.

Në prill të këtij viti, Demokracia.com kishte publikuar vendimin e KPMSHCK-së, ku ishte aprovuar si e bazuar ankesa me numër A.nr.117/2022 e datës 11/02.2022, e parashtruar nga ankuesi Viskont Jakupi dhe shfuqizohet vendimi me Nr.ref:65/2022 i datës 07.02.2022 i zëvendëskryeminstres dhe ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz. Më datën 15.03.2021, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte nxjerr vendim, me të cilin e ka shfuqizuar vendimin e ministres Gërvalla dhe e ka detyruar atë ta rishqyrtojë lëndën e ankuesit.

Pas këtij vendimi, Gërvalla ka shfuqizuar vendimin, por e ka lënë në fuqi pjesën ku konfirmohet tërheqja/kthimi nga misioni në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Ndryshe, më 11 nëntor të vitit 2021, tri ditë para balotazhit në Prizren, Donika Gërvalla në formë hakmarrjeje kishte marrë vendim që Viskont Jakupi, zyrtar i lartë për marrëdhënie dypalëshe, të kthehej prej misionit diplomatik në Londër.

Këtë vendim, ajo e kishte marrë pas afrimit të PDK-së dhe LDK-së për balotazhin në Prizren, pasi që Jakupi njihet për miqësinë e mirë që ka me ish-kandidatin për kryetar të kësaj komune nga radhët e LDK-së në zgjedhjet lokale, Anton Qunin.

Lidhur me këtë vendim të Gërvallës kishte reaguar edhe GP i LDK-së përmes vetë deputetit Anton Quni, duke e quajtur vendimin arbitrar dhe ministren Gërvalla, ministre skandaloze, që nuk i respekton as vendimet e organeve të ankimimit, siç i quan ajo. Sipas Qunit, në një shtet evropian, ministrja Gërvalla do duhej të jepte dorëheqje.

x