Dodik vazhdon me avazin e vjetër, nderon Putinin me “medaljen e nderit”, reagon BE!

1 minute, 30 seconds Read

Presidenti rus Vladimir Putin u nderua në mungesë nga udhëheqësi serb i Bosnjës, Milorad Dodik të dielën, gjatë një ceremonie për të shënuar festën kombëtare të Republikës Serbe të Bosnjës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Putinit iu dha medalja për “kujdesin dhe dashurinë e veçantë patriotike ndaj Republikës Serbe ” dhe meritat në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe marrëdhënieve politike midis “shteteve mike të Republikës Serbe dhe Federatës Ruse”, thanë moderatorët.

Republika Serbe është një rajon që përbën Bosnjën së bashku me Federatën autonome Boshnjako-Kroate.

Dodik, presidenti i rajonit i cili ka favorizuar prej kohësh lidhjet me Rusinë në vend të atyre me Perëndimin, vlerësoi Putinin “për një mbështetje të besueshme për Republikën Serbe dhe tha se do t’ia dorëzonte medaljen në takimin e tyre të ardhshëm”.

“Falë pozicionit të Vladimir Putinit dhe forcës së Federatës Ruse, zëri dhe pozicioni i Republikës Serbe është dëgjuar dhe respektuar”, citohet të ketë thënë ai.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, Dodik ishte përpjekur të bllokonte përpjekjet e presidencës trepalëshe që Bosnja t’i bashkohej sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Në të njëjtën kohë, të dërguarit rusë kanë mbështetur Dodikun në lëvizjet e tij “shkëputëse” që synojnë dobësimin e qeverisë qendrore.

Muajin e kaluar, Rusia denoncoi BE-në për dhënien e Bosnjës një status kandidat për t’u bashkuar me bllokun.

Ajo ka paralajmëruar më parë se do t’i konsideronte lëvizjet e Bosnjës drejt anëtarësimit në NATO si një “akt armiqësor”.

Publikime te ngjashme