Në pjesën veriore të vendit sot u “dëmtuan pjesërisht” përmes zjarrvënies tri vetura të qytetarëve serbë. Kësaj here jo me targa RKS siç rëndom ndodh. Veturat ishin me targa (të paspecifikuara) të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Serbisë, targa këto që Kosova i konsideron të jashtëligjshme. Në një periudhë tejet të shkurtër kohore, shto tri veturat e djegura sot, përafërsisht shënohen 10-11 vetura të djegura. Dhe kjo mu në kohë kur janë shpallur zgjedhjet në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe.
Nacionale ka komunikuar me Ministrin për Komuniteti dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, i cili fillimisht nuk ishte në dijeni për djegien e këtyre veturave, por që mëpastaj supozon të dijë në plotni se çfarë mund të ketë ndodhur. Rashiq i cili është ministër nga komuniteti serb në Kosovë, këto veprime i sheh vetëm në funksion të parandalimit “me të githa mjetet në dispozicion” të zgjedhjeve në ato zona, zgjedhje këto të shpallura për më 23 prill.
“Me të thanë të vërtetën unë para një ore dëgjova prej jush. Kjo vetëm një arsye mund ta ketë. Supozoj se kjo mund të ketë ndodhur në Leposaviq. Sepse e di që atje ai kandidati që është për kryetar, Aleksandar Jabllanoviqi, dhe unë e kam pa që ka pas disa aktivitete parazgjedhore, gjë që duhet të jetë një gjë normale, që të ketë prezentime të planeve në fushatën parazgjedhore”, thotë fillimisht, dhe ndalet pikërisht këtu, te zhvillimi i fushatës zgjedhore, ku edhe e sheh arsyen kryesore të këtyre aktivitete zjarrvënëse.
“Sa e di unë edhe kështu nga informacionet private kjo nuk do të thotë që ata strukturat të cilat janë nën hije nuk do të përdorin të gjitha mjetet që kanë për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve. Prandaj po supozoj që ata vetura janë qoftë të pronarëve, pra të atyre që janë nominuar si këshilltarë për nivelin komunal ose ndoshta edhe të familjarëve të tyre”, thotë Rashiq.
Andaj, thotë Rashiq, këtu s’ka arsye tjetër veçse t’u bëhet presion garuesve zgjedhorë të ndalojë aktivitetet e tyre elektorale. “Prandaj, shpresoj shumë ta kem gabim, por kjo me siguri po bëhet për t’u bërë presion atyre që janë kandidatë për zgjedhje. Nuk e shoh si asgjë tjetër, duke e ditur se çfarë metodologjie është përdorur për djegien e veturave”, thotë Rashiq për Nacionalen.
“Fatkeqësisht kjo nuk është asgjë e re. Kjo ndodh që tash e disa vite. Tash e kam një informatë, nëse nuk është gabim, por deri tash janë djegë afro 200 vetura. Po ju garantoj që kjo nuk është e zakonshme në cilindo prej shteteve”, na tha ai.