Kosovë
Detaje nga aksioni “Brezovica”, shkon në 17 numri i të arrestuarve
Shtatë persona janë arrestuar në aksionin e sotëm që u zhvillua në disa lokacione në Kosovë, duke e çuar kështu në 17 numrin e të arrestuarve në rastin e njohur si “Brezovica”.
Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni i sotëm është vazhdimësi i atij të nisur më 21 dhjetor të vitit të kaluar për dyshime për ryshfet dhe keqpërdorim të detyrës së disa zyrtarëve, lidhur me veprat penale të korrupsionit me ndërtimet në Brezovicë.
Dyshimet për dallavere me ndërtime në Brezovicë kanë bërë që Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe Policia e Kosovës të zhvillojë bastisje sot në tri lokacione të vendit.
Përveç se në Prishtinë e në Ferizaj, këto bastisje janë kryer edhe në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ku janë arrestuar 7 persona, dy zyrtarë të këtij dikasteri dhe pesë qytetarë.
“Deri me tani janë arrestuar shtatë (7) persona, dy prej tyre janë zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare – marrje ryshfeti, si dhe pesë (5) qytetarë të dyshuar për dhënie të ryshfetit”, është bërë e ditur në njoftimin e sotëm të Prokurorisë Themelore të Ferizajt, përcjell Reporteri.net.
Në mesin e të arrestuarve është kryeinspektori i kësaj ministrie, Bedri Halimi.
Halimi ishte përmendur edhe në vitin 2019 nga organet e hetuesisë. Ndaj kryeinspektorit të Ministrisë së Mjedisit, Bedri Halimi ishte ngritur Aaktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Askohe ishte theksuar se Halimi dhe katër persona të tjerë, sipas Prokurorisë Speciale, akuzohen për lejimin e ndërtimeve pa leje në zonën e Parkut Nacional të Sharrit në Prizren.
Aksioni i Policisë më 21 dhjetor ku u arrestuan 10 persona dhe u sekuestruan 61 mijë euro bashkë me 8 vetura
Në aksionin e mbajtur më 21 dhjetor në disa lokacione, në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish kryetari i Shtërpcës Bratislav Nikoliq si dhe disa zyrtarë të tjerë dhe pronarë të firmave.
Vetëm Nikoliq dyshohet se ka përfituar deri në 1 milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.
Nga ky aksion i mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar janë vënë në pranga 10 persona, teksa janë sekuestruar 61 mijë euro dhe monedha të tjera si dollarë, franga zvicerane, lekë etj. Përveç kësaj janë sekuestruar edhe 8 vetura në vlerë prej 300 mijë euro, armë zjarri e telefona.
10 të arrestuarve më 21 dhjetor u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji nga Gjykata Themelore e Ferizajt./Reporteri.net
