fbpx

Deputetja e VV’së: Lajçak ka qenë i njoftuar për vendimin për targat, s’është marrë vendimi aty për aty

HomeLajmeKosovë

Deputetja e VV’së: Lajçak ka qenë i njoftuar për vendimin për targat, s’është marrë vendimi aty për aty

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, ka thënë se vendimi i qeverisë për targat vjen si pasojë e marrëveshjeve që janë nënshkruar më herët mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas saj, ata janë vetëm duke zbatuar ato që është dashtë më herët.

Ajo ka theksuar se për një vendim të tillë nuk është nevoja të pyetet askush tjetër pos ekzekutivit kosovar.

“Edhe i dërguari i BE-së, Mirsolav Lajçak, është në mesin e politikanëve ndërkombëtarë që ka qenë i njoftuar që një gjë e tillë do të ndodhë, qysh prej pak më shumë se një viti, në rast se nuk do të ketë lëvizje prej shtetit serb dhe kjo gjë ka ndodhur. Ky nuk ka qenë një vendim ad-hoc që është marrë aty për aty dhe se askush nuk ka qenë në dijeni”, ka thënë Kryeziu-Hyseni në Klan Kosova.

Ajo vendimin për targat e ka quajtur si të duhur.

Ndryshe, në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, është vendosur masa e reciprocitetit ndaj Serbisë për dokumentetet e identifikimit dhe targave të automjeteve.

Sipas këtij vendimi, qytetarëve serb, të pajisur me dokumente identifikimi nga autoritetet e Serbisë, gjatë hyrjes në Kosovë do t’u lëshohet në kufi një flet-deklarim i përkohshëm që zëvendëson përdorimin e dokumente të Beogradit.

“Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Me këtë vendim, është vazhduar edhe reciprociteti për punën e targave.

Me këtë vendim, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga 1 korriku.

“Gjithashtu, sipas vendimit, automjetet me targa të regjistrimit të Serbisë që paraqiten për kalim të kufirit shtetëror dhe kanë për qëllim të lëvizin në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të kenë të vendosur ngjitësin në pjesën e simboleve dhe emërtimit shtetëror, nga data 01.08.2022. Mekanizmi i tillë do të vlejë deri me 31.10.2022. Ky mekanizëm është pa paragjykim ndaj afatit maksimal të qëndrimit të automjeteve të tilla në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZKM’së.

Masa e reciprocitetit për targat kishte filluar të aplikohej fillimisht nga 20 shtatori i vitit 2021.

Sipas vendimit të atëhershëm, veturat që hynin nga Serbia, duhet të pajisjeshin me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Kjo masë kishte nxitur protesta në veri. Për gati dy javë, serbët lokalë kishin bllokuar rrugët që çonin në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

COMMENTS

x