Buzhala thotë se pagat e mësuesit rriten duke i larguar ata që janë analfabet nga procesi mësimor!

2 minutes, 5 seconds Read

Paga 500 euro për mësuesit nuk mjafton. Sot, shporta familjare ka ecur shumë tutje, për shkak të inflacionit dhe shërbimeve tjera, që sot janë të domosdoshme, e dikur nuk ishin.

Mësuesit, nuk duhet ta kenë mendjen tek mbijetesa kur janë duke dhënë mësim. Padyshim që Kosova e ka komoditetin ta bëjë këtë. Me rritjen e pagave në këtë nivel, mësimdhënia bëhet atraktive për shumë profesionistë të zotët, pra rritet konkurrenca. Kjo bën që në mënyrë të vetvetishme të rritet kualiteti i mësimdhënies. Padyshim, janë së paku gjysma e mësuesve që nuk e kanë vendin aty. Pra, që ata ti marrin 500 euro është tepër, pasi prodhojnë analfabetë dhe bëjnë dëmë të mëdha.

Buxheti nuk është aspak e vështirë të sigurohet, përmes një reformimi kualitativ. Duhet të vihen kritere për funksionimin e një shkolle. Pragu të jetë që secila shkollë të ketë minimum 100 nxënës. Nuk mund të marrë edukim kualitativ një nxënës që është në klasë me motrën 2 vjet më të vjetër, e vëllanë 3 vjet më të ri. Që të gjithë në një klasë, e cila është e vetmja në shkollën e tyre pasi nuk ka nxënës tjerë. Ajo është shumë e rëndë. Nuk mund të rriten nxënësit pa patur asnjë shok ose shoqe, pa e ditur cka dijnë ata dhe të ballafaqohen me konkurrencën e dijes. Atyre duhet tu organizohet transporti në një shkollë normale.

Të njëjtën kohë nuk mund të funksionojnë shkollat me tri ndërrime. Kjo është budallaki. Kosova është vend i vogël dhe nuk bëhet nami nëse nxënësit udhëtojnë me transport të organizuar 10 ose 20 km në ditë. Fundja, nxënësit e shkollave private e bëjnë dhe paguajnë para të majme.

Arsimimi duhet ti përshtet dijes dhe edukimit e jo komoditetit e dembelisë.

Përmes kësaj reforme aspak të vështirë, mësuesit, pra ata që e mësojnë vertëtë këtë popull dhe nxjerrin kuadro me renome ndërkombëtare, duhet të trajtohen dinjitetshëm. Të tjerët, që prodhojnë analfabetë nuk duhet të jenë aty.

Arsimimi nuk duhet të politizohet. As grevat jo. Ato bëhen për të përmirësuar kushtet e punetorëve, e jo për t’i dërguar ujë në mulli ndonjë partie politike.

Nga Viktor Buzhala

Publikime te ngjashme