fbpx

Buxheti kalon në komisionin parlamentar me votat e VV-së

HomeLajmeKosovë

Buxheti kalon në komisionin parlamentar me votat e VV-së

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në lexim të parë buxhetin për vitin e ardhshëm. Në prezantimin e buxhetit prej më shumë se 3 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm, ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi se është paraparë që të ketë rritje ekonomike prej 5,5 për qind.

Po ashtu, ka theksuar se do të ketë edhe rritje prej 75 milionë eurosh për kategorinë e pagave, ndërkaq buxheti për skemat pensionale do të jetë 610 milionë euro. Në votimin e buxhetit për vitin 2023 kanë marrë pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë shqyrtimit të parë këtij projektligji, Murati ka theksuar se buxheti i paraparë parasheh konsolidimin fiskal.

“Niveli i shpenzimeve buxhetore për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro. Ku në kuadër të këtyre kategorive, kategoria e pagave shtesa ka përbërje prej 745 milionë euro, mallra dhe shërbime 493 milionë euro, subvencione dhe transfere 1 miliard e 98 milionë euro, si dhe shpenzime kapitale 811 milionë euro. Kurse, sa i përket komponimit të të hyrave ka gjithsejtë të hyra parashihet të kemi të hyra buxhetore prej 2 miliardë e 884 milionë, ku prej tyre 2 miliardë e 525 milionë euro parashihet të jenë të hyra tatimore, kurse pjesa tjetër janë të hyra jo-tatimore… Në përgjithësi është një buxhet i cili parasheh konsolidimin fiskal. Ne tashmë kemi arritur një gjë të tillë, që nga viti i kaluar përkundër faktit që kemi pasur mundësinë të tejkalojmë rregullën fiskale të deficitit, që nga viti i kaluar deficiti është vën nën kontroll, nën 1 për qind të bruto-prodhimit vendor”, ka theksuar Murati.

Murati shtoi se borxhi publik për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 22,5 për qind. Ai ka konsideruar se ka zgjerim të ekonomisë gjatë këtij viti, ani pse përmendi rritjen e inflacionit.

“Prej vitit të ardhshëm e tutje parashihet që edhe planifikimi buxhetor të parashihet dhe të kthehet në rregullën fiskale, që nuk lejon tejkalim prej 2%. Në kuadër të kësaj, parashohim që do të vazhdojë trendi pozitiv i rritjes ekonomike. Normalisht që këtë vit me luftën në Ukrainë dhe krizën energjetike, po ashtu inflacionin sidomos në produktet ushqimore është vështirësuar ambienti anë e mbanë Evropës, madje gjithë kontinentit, kjo nuk e ka lënë shtetin tonë të paprekur, por kemi arritur që të kemi rritje pozitive të zgjerimi i ekonomisë po vazhdon. Parashohim që trendi rritës të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, ku kemi projektuar një rritje reale prej 5.5 për qind”, ka shtuar Murati.

Murati theksoi se të hyrat tatimore do të jenë prej më shumë se dy miliardë eurosh, ndërkohë që në vitin 2020 të hyrat kanë qenë një miliard më pak.

Anëtari i komisionit, Palë Lekaj deklaroi se ka mospërfshirje të rritjes së pagave në këtë buxhet.

“Çfarë mund të vëresh është mospërfshirja e ngritjes së pagave që jeni zotuar dhe në këtë buxhet fare nuk ekziston. Po ashtu, rritja e pensioneve që keni premtuar dhe nuk është e projektuar në buxhet. A mendoni që viti 2022 ka qenë dështim total i shpenzueshmërisë së parasë publike për investime kapitale, ku sipas informacioneve që kemi janë diku 600 milionë projekte që nuk janë implementuar. Po e citoj një amendament timin që e kam pasur vitin e kaluar, ka qenë iniciues për 150 mijë euro dhe jemi dakorduar, por sot e kësaj dite nuk është implementuar. Unë i kam mashtruar qytetarët e mi në Gjakovë, ju më keni mashtruar mua. Dhe kjo nëse ndodhë prapë kështu mendoj që si ministër nuk guxoni që të jepni premtime”, ka deklaruar Lekaj.

Murati deklaroi se nuk është faji i tyre pse këto projekte nuk po implementohen.

“Në Ministrinë e Financave nuk ka qenë, mund të jetë në Ministrinë e Infrastrukturës, tani siç jeni në dijeni një pjesë e madhe e projekteve infrastrukturore kanë ngecur, jo për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e qeverisë, por kryesisht për shkak të rritjes së çmimit dhe refuzimit të punë kryerësve për t’i kryer punët. Kjo ndodhë edhe në komunat ku menaxhoni ju opozita. Dhe këtu nuk po fajësohet askush, vetëm se po llogaris të pasinqertë dhe të padrejtë, pra kur kemi të bëjmë me një fenomen global e në anën tjetër shigjeta drejtohet kah qeveria thua se ne nuk paskemi vullnet që të ekzekutojmë ato projekte kapitale”, ka deklaruar Murati.

Më tej, ministri para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Buxhet theksoi se nuk presin që të ketë suficit këtë vit.

“Sa i përket pagave dhe pensioneve, po besoj që nëse fokusoheni dhe përqendroheni në Ligjin e Buxhetit dhe e lexoni me kujdes, mund të shihet që në kategorinë e pagave ka një rritje krahasuar me vitin aktual, prej 75 milionë eurosh, ka buxhet më lartë se kaq. Kurse sa i përket pensioneve buxhetimi për këtë vit ka qenë 568 milionë euro me gjitha shtesat, ndërsa vitin e ardhshëm është paraparë 610 milionë”, shtoi Murati.

Deputetja e LDK-së, e cila nuk është anëtare e këtij komisioni, Hykmete Bajrami deklaroi se rritja ekonomike e reflektuar është si rezultat i inflacionit dhe se është prej më shumë se 12 për qind.

“Buxheti për pagat është vetëm 75 milionë më shumë, i kemi parë deklaratat e juaja sa pozita të reja keni planifikuar të keni shtesë. Ndërkohë që në plot institucione, duke përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës, shëndetësinë, në ndërkohë që në raportin nëntëmujor që e keni dorëzuar aty thuhet që 4123 pozita të pambuluara që janë të buxhetuara, por nuk janë rekrutuar njerëzit në nivelin lokal dhe 5800 në nivelin qendror. Tash kur ja shton 75 milionëshit këto gati 10,000 pozita të cilat nuk keni arritur t’i rekrutoni këtë vit dhe pozitat shtesë që i keni planifikuar e të cilat i keni deklaruar, nuk e di se sa miliona do të mbesin për implementimin e Ligjit të pagave. Kur mendoni ju që Ligji i pagave, meqë ende nuk e keni përcjellë, kur mendoni që do të vijë në Kuvend dhe kur mendoni që do të fillojë të implementohet dhe sa do të jetë kosto”, ka pyetur deputetja Bajrami.

Për këtë Murati tha se opozita nuk e ka hallin e qytetarëve dhe kjo është treguar edhe me mosmbështetjen e ligjit për vendosjen e çmimeve tavan për produktet bazë.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Projektligji për mbështetjen e punëve publike, për zbatimin e sanksioneve financiare ndërkombëtare të shënjestruara dhe për borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore.