fbpx
HomeLajmeKosovë

Bulliqi i cili u largua nga LDK-ja, tregon sekretet e pazareve brenda asaj partie

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Shpejtim Bulliqi, ka komentuar për përplasjet mes partnerëve të koalicionit qeverisës, për pozitën e presidentit.

Bulliqi ka thënë se përplasjet mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, flasin për brishtësinë e koalicionit dhe logjikën e pazareve të qeverisë.

Sipas tij, ata duan të zgjedhin president një njeri që nuk ka mbështetje popullore, vetëm për të përmbushur ambiciet personale në dëm të Kosovës.

“Përplasjet mes partnerëve të koalicionit për pozita politike tregon qartë për brishtësinë e këtij koalicioni si dhe për logjikën e kësaj qeverie, ku përmes pazareve duke shkelur vullnetin popullor të shprehur më 6 tetor ata formuan një qeveri të panatyrshme. Tash duan ta vazhdojnë këtë edhe me zgjedhjen e presidentit një njeri që nuk ka mbështetje popullore por duke parë sa e dobët është qeveria me numra ata e shantazhojnë njëri-tjetrin për t’i përmbushur ambiciet personale e në dëm të demokracisë dhe shtetit”, ka deklaruar Bulliqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Kandidati i VV-së për kryetar të Podujevës, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja dhe se presidenti duhet të jetë mbipartiak.

“Vendi ynë ka nevojë për zgjedhje të reja për qeveri të re me legjitimitet të plotë e presidenti duhet të jetë mbipartiak e një figurë me kredibilitet të lartë moral e kombëtar si dhe përbashkues duke përfaqësuar unitetin e popullit”, është shprehur më tej Shpejtim Bulliqi.

Ai ka treguar edhe se si duhet të jetë presidenti i ri i Kosovës.

“Ne si subjekt politik kemi paraqitur idenë tonë gjithmonë se kush duhet të jetë president i vendit, ai/ajo person nuk duhet të vijë nga subjektet politike dhe presidenti i ardhshëm i vendit duhet të jetë një person me integritet të lartë familjar e kombëtar. Ai/ajo duhet të gëzoi respekt nga e gjithë skena politike e mbarë shoqëria jonë, andaj duhet të jetë personi më unifikues dhe po ashtu të ketë zotësi të lartë profesionale”, ka thënë Bulliqi.

COMMENTS

x