fbpx

Brigada e tij kreu masakra në Bucha, rusi që kërkoi azil në Spanjë: Jam i gatshëm të dëshmojë në gjykatën ndërkombëtare

HomeLajmeBota

Brigada e tij kreu masakra në Bucha, rusi që kërkoi azil në Spanjë: Jam i gatshëm të dëshmojë në gjykatën ndërkombëtare

Një pjesëtar i forcave të armatosura ruse që mori pjesë në pushtimin e Ukrainës kërkoi azil politik pasi arriti në Madrid.

Nikita Chibrin tha se ai kaloi më shumë se katër muaj në Ukrainë si pjesë e Brigadës së 64-të të Motorizuar të Gardës, një njësi e akuzuar për krime lufte të kryera në mars të këtij viti në rajonin e Kievit.

Chibrin zbarkoi në kryeqytetin spanjoll të martën dhe u ndalua në qendrën e imigracionit. Në një intervistë telefonike nga aeroporti të mërkurën mbrëma, Chybrin ka thënë se nuk kishte gjuajtur me armë “asnjëherë” derisa ishte në Ukrainë.

Ai tha se ishte i etur të dëshmonte në një gjykatë ndërkombëtare për përvojat e tij në Ukrainë, raporton theguardian.

“Nuk kam asgjë për të fshehur. Kjo është një luftë kriminale e nisur nga Rusia. Unë dua të bëj gjithçka që mundem për ta ndaluar atë”, tha Chibrin.

Ai u tha komandantëve se ishte kundër luftës në ditën e parë të pushtimit. Chibrin thotë se u hoq nga pozicioni i tij si mekanik ushtarak pasi foli dhe më pas u caktua të bënte punë fizike, transmeton Telegrafi.

“Më kërcënuan me burg. Në fund, komandantët e mi vendosën të më përdornin si pastrues dhe ngarkues. Isha larg fushëbetejës”, tha ai për kohën e kaluar në Ukrainë.

I lindur në Yakutsk, në Siberinë lindore, Chibrin iu bashkua ushtrisë ruse në verën e vitit 2021. Ai mendonte se nuk do të përfshihej në asnjë luftë dhe përmendi vështirësitë financiare si arsyen e vendimit të tij për t’u bashkuar me ushtrinë. Chybrin tha se ai dhe njësia e tij hynë në Ukrainë për herë të parë më 24 shkurt, duke kaluar kufirin me Bjellorusinë.

Sipas Chibrin, ai e kaloi muajin e parë të pushtimit në fshatin Lypivka, 50 kilometra në perëndim të Kievit. Gjatë kësaj periudhe, brigada ku ishte edhe Chibrin u akuzua për ekzekutimin e civilëve në Bucha dhe Andriivka, dy fshatra pranë Lypivka.

Ai tha se më 16 qershor ka arritur të arratiset nga Ukraina duke u fshehur në një kamion që po shkonte në Rusi për furnizime ushqimore. Pas ca kohësh, ai kontaktoi rrjetin e të drejtave të njeriut Gulagu.net, i cili e ndihmoi Chibrin të largohej nga Rusia në fillim të këtij muaji. Vladimir Osechkin, kreu i Gulagu.net, konfirmoi se organizata e tij e ndihmoi Chybrin të largohej nga Rusia.

Chibrin tha se shpresonte t’i jepej azil politik në Spanjë, duke përmendur kundërshtimin publik ndaj luftës si një kërcënim për jetën nëse kthehej në Rusi.

Chibrin u lirua nga qendra e imigracionit në Madrid të enjten në mbrëmje. Ai tha se do të strehohej në një strehë të përkohshme refugjatësh në kryeqytetin spanjoll, ndërsa autoritetet do të përpunonin kërkesën për azil.

Një zëdhënës i ministrisë së brendshme të Spanjës nuk pranoi të komentojë mbi rastin, duke përmendur rregullat e mbrojtjes ndërkombëtare dhe rrezikun e persekutimit të mundshëm të aplikantëve. /Telegrafi