Blinken i shkruan Vuçiq-it: Liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira, por shpërblimet do të jenë të mëdha

1 minute, 8 seconds Read

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka shkruar letër urimi për ditën e shtetësisë së Serbisë, presidentit të këtij vendi, Aleksandar Vuciq.
Në një letër të publikuar nga Departamenti i Shtetit (DASH), kryediplomati nga Washingtoni mes tjerash i ka përmendur presidentit serb, ujdinë me Kosovën.

“Jam i bindur se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të sjellë siguri dhe prosperitet për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, liderët serbë dhe kosovarë do të bëjnë kompromise të vështira për t’i arritur këto qëllime, por shpërblimet për popullin serb – dhe gjithë rajonin – do të jenë të mëdha”, ka thënë Blinken.

Ndryshe sot në Serbi shënohet dita e shtetësisë së Serbisë, e letër urimi Vuçiq mori edhe nga presidenti amerikan, Joe Biden.

“Në vitin që është para nesh, SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. Ne mirëpresim mbështetjen tuaj për propozimin e BE-së për normalizim, që do të kontribuojë në krijimin e një të ardhme më paqësore dhe me prosperitet për rajonin”, shkroi Biden.

Publikime te ngjashme