Bislimi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë mund të arrihet në fund të marsit

1 minute, 25 seconds Read

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, njëherësh kreu i ekipit negociator në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur kohën se kur mund të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Bislimi ka thënë se takimi në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për propozimin franko-gjerman nuk është mbajtur ende.

“Marrëveshja e nënshkruar, pra e arritur më 23 nëntor, caktoi afatin se kur duhet mbajtur mbledhja e radhës e grupit special për normalizimin në Kosovë dhe BE. Prandaj, tashmë është rënë dakord që takimi të bëhet në fund të muajit mars. Kjo është arsyeja që zoti Kurti përmend fundin e marsit si afat për nënshkrimin e marrëveshjes. Nëse deri atëherë e kuptojmë se Serbia nuk ka ndërmend të jetë konstruktive gjatë dialogut, kjo do të thotë se procesi i nisur më 23 nëntor do të pezullohet dhe Kosova do të mund të vazhdojë të shqiptojë gjoba për targat ilegale që ende lëvizin nëpër Kosovë”, ka thënë ai.

Edhe pse nuk ka zbuluar detajet e propozimit, zëvendëskryeministri ka deklaruar se plani “de jure” e mbështet qëndrimin e Serbisë se nuk duhet të ketë njohje reciproke në këtë moment.

“Ne nuk duhet t’i zbulojmë elementet e dokumentit, por nëse fokusohemi në elementet “de jure”, atëherë mund të themi se dokumenti mbështet qëndrimin e Serbisë ku aktualisht nuk ka kusht për njohje reciproke”, ka shtuar tutje Bislimi.

Publikime te ngjashme